E Diel, 1 Nëntor 2026

Municionet e vjetra, në rrezik shpërthimi

Ministria e Mbrojtjes raporton se, gjendja e municioneve, sa vjen e vështirësohet. 90% e municioneve i përkasin harkut kohor prej 40 vitesh

TIRANË - Tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, nxori në pah papërgjegjshmërinë e shtetit shqiptar, për t’u paraprirë prej kohësh shpërthimeve në rritje të municioneve të tepërta, përmes një pakete të plotë e të studiuar, me qëllim asgjësimin e rreth 98 mijë ton municioneve në vend. Një rrezik ky i paralajmëruar sërish nga Ministria e Mbrojtjes, që përmes një drafti të miratuar pak kohë më parë nga qeveria, përcaktoi tetë poligonet e reja të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve, rregulloren për ruajtjen dhe administrimin e vlerave materiale të shërbimit të armatim-municionit, etj. Por përpos saj, në relacionin që Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur pikërisht për këtë qëllim, citohet qartë domosdoshmëria për asgjësimin e plotë të municioneve të tepërta nga Forcat e Armatosura. “Shpërthimet e municioneve të mbledhura, që ndodhën në Dhëmblan dhe Gërdec, me pasojat, që tashmë dihen, mund të përsëriten edhe në shumë zona të tjera në vendin tonë. Marrja e një vendimi të menjëhershëm për këtë qëllim, kërkon angazhim të plotë nga të gjitha institucionet e interesuara dhe nuk është vetëm detyrë e Ministrisë së Mbrojtjes, por mbarëkombëtare”, - thuhet në relacionin e përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes. Grupi i punës i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i ngritur me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, studioi me hollësi gjendjen e poligoneve ekzistuese të asgjësimit të municioneve, për të sjellë përmes një materiali të zgjeruar edhe plotësimin e standardeve të kërkuara për këtë qëllim.

Municionet

Sipas relacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet fjalë për asgjësimin e atyre municioneve që janë krejtësisht të vjetruara dhe i përkasin një harku kohor prej 40 vjetësh, ndërkohë që vlen të kujtohet se vjetërsia e municioneve në ushtritë e vendeve të NATO-s, varion nga 20 deri në 25 vjet. Sipas raportit, 90% e municioneve në vend i takojnë pikërisht periudhës së 40 viteve. Kjo ka bërë që shumë seri prodhimesh të humbasin vetitë fiziko-kimike e të krijojnë premisë për vetëndezje. Ministria e Mbrojtjes raporton se, deri më tani, mbajtja e tyre është bërë e mundur vetëm ndërmjet analizave laboratorike, por gjendja e tyre, po sipas raportit, sa vjen e vështirësohet, pasi testet laboratorike nuk i paraprijnë dot skadencës së tyre. Një pjesë e municioneve konvencionale duhet të asgjësohen me plasje në natyrë, pasi nuk lejohet formë tjetër e asgjësimit si, groposje, hedhje në lumë, dete, etj.

Përzgjedhja e Poligoneve

Raporti citon se, poligonet e zgjedhura tanimë me vendim të qeverisë, duhet të shmangin afërsinë e ndërtesave, sidomos të atyre me banorë; linjat e kabllot ajrore dhe nëntokësore; kanalet kulluese, ujitëse dhe tubacionet e ndryshme nëntokësore; rrugët dhe hekurudhat; aeroportet dhe korridoret e kalimit ajror; transmetuesit e radios ose radarët, tokat bujqësore; zonat me pyje, zona moçalore gjatë periudhës dimërore në vendet malore e fushore dhe në zonat naftëmbajtëse, si dhe burimet natyrore të ujërave dhe ujëmbledhësit artificialë.

Kërkesat për një poligon

Municionet do të asgjësohen në poligone të miratuara nga prefektura, bashkia, komuna dhe kryeplaku. Dhjetë ditë para fillimit të asgjësimit, duhet të njoftohet kryetari i komunës dhe kryepleqtë e fshatrave të zonës përreth shpërthimit. Zona e shkatërrimit duhet të ketë një rreze minimale 730 m -1000 m ndërmjet pikës së asgjësimit dhe objekteve publike, hekurudhave, rrugëve dhe magazinave, ndërsa vatra e shpërthimit, në një rreze nga 90 deri në100m. Municionet që përmbajnë lëndë plasëse, duhet të vendosen në gropa të parapërgatitura, në thellësi jo më pak se 1.5 m. Zona pastrohet brenda rrezes 60 m rreth pikës së asgjësimit, nga të gjitha pemët, barërat e thata dhe barishtet e tjera. Një terren ideal për asgjësime është një formacion i pastër tokësor pa gurë, rrënjë, shkurre dhe pemë. Kur është e mundur, duhet që të shmanget terreni ranor, pasi ka vështirësi në përgatitjen e gropave me fole.

Kompensimi

Si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura, mund të shkaktohen edhe dëme. Ministria e Mbrojtjes ka marrë përsipër të kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara në marrëveshje ndërmjet saj dhe palëve të dëmtuara. Në rast se konflikti nuk zgjidhet, atëherë, palët do t’i drejtohen gjykatës. -----------------------------

Tabela e sigurisë (sasia Lende Plasëse dhe distanca e evakuimit)

Pesha e eksplozivit në kg                Distanca e evakuimit në m

12.3                                                    300

13.6                                                    310

15.98                                                  330

18.25                                                  350

21.52                                                  360

23.79                                                  375

45.04                                                  475

68.01                                                  550

90.8                                                    600

113.5                                                  625

136.2                                                  675

181.6                                                  725

227                                                      800

Poligonet për asgjësimin dhe sasia maksimale që lejohet për asgjësim :

a) Poligoni “Livadhet e Hamzit”, Pukë;-

b) Poligoni “Shën Noi Madh”, Bizë;113.5 kg

c) Poligoni “Zgarë”, Librazhd;68.1 kg

ç) Poligoni i Shënmrisë, Gramsh;30 kg

d) Poligoni “Përroi i Bigazit”, Skrapar;12.3 kg

dh) Poligoni “Fushë Roshaj”, Voskopojë;-

e) Poligoni i Trajlarit, Këlcyrë;90.8 kg

ë) Poligoni “Jubë”, Sukth, Durrës.30 kg

Poligonet, dhjetëra km larg nga qyteti, në vijë ajrore

TIRANË - Poligoni i asgjësimit nuk është gjë tjetër veçse një sipërfaqe territori me përmasa dhe kufij të përcaktuar, që shërben për asgjësimin e municioneve të kalibrave të ndryshme në përdorim të Forcave të Armatosura. Poligonet për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura u miratuan përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave pak kohë më parë dhe janë të shpërndara në tetë rrethe: Pukë, Bizë të Tiranës, Librazhd, Gramsh, Skrapar, Voskopojë, Këlcyrë dhe Durrës. Këto poligone mund të përdoren edhe për asgjësimin e municioneve të Policisë së Shtetit dhe të municioneve të kapura e të grumbulluara nga kjo polici. Asgjësimi i municioneve, për këtë rast, do të bëhet sipas një marrëveshjeje, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Të gjitha poligonet e përzgjedhura ndodhen disa kilometra larg, në vijë ajrore, nga qyteti me i afërt ndërsa dhjetëra km llogaritet edhe largësia nga rruga automobilistike. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto janë poligone që përmbushin distancat e sigurisë dhe nuk përbëjnë rrezik për komunitetin. Poligonet do të përdoren vetëm për asgjësimin e municioneve, duke zbatuar të gjitha rregullat e sigurisë dhe duke marrë miratimin rast pas rasti të pushtetit vendor. Në total sipërfaqja që zënë këto poligone, në shkallë vendi, është 15% kullotë dhe 85% tokë e papunuar. Relacioni i Ministrisë së Mbrojtjes ka përcaktuar edhe sasinë maksimale të sasisë së municionit që lejohet për t’u asgjësuar.

Xhouns:Ambasada amerikane s’po hetohet për trafikun e fishekëve

TIRANË - Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të shtetit, Stjuart Xhouns, ka komentuar dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës’, çështjen e Gërdecit dhe kërkesën e Uashingtonit për t’u shkuar deri në fund hetimeve. “Është e qartë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin hetimin. Është diçka që do të kryejë rrugën e saj. E rëndësishme është të hetohet, të njihet kush është përgjegjës, dhe të ndërmerren reformat e nevojshme për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen. Marrëdhënia Shqipëri-SHBA, nuk varet nga çështje individuale si kjo”, - ka pohuar dje Stjuart Xhouns. Ndërkohë, ai ka komentuar edhe dyshimet për implikimin e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uithers në këtë çështje. Stjuart Xhouns, ka pohuar se nuk ka asnjë padi të ngritur ndaj Ambasadës, por bëhet fjalë vetëm për hetime të komisionit “Uaksman”. “Asnjë padi nuk është ngritur kundër ambasadës apo ndonjë personeli të saj. Nuk ka akuza penale dhe as pretendime për kundravajtje penale. “Komiteti Uaksman” po ndjek hetimin e tij për çështjen e shitjes së armëve dhe ndonjë përfshirje të mundshme në ambasadë. Ashtu si presim që autoritetet shqiptare të ndjekin hetimin e incidentit të Gërdecit në përfundimin e vet logjik, po ashtu presim që “Komiteti i Uaksman” të bëjë të njëjtën gjë. Kur ai hetim të jetë kryer, dhe çfarëdo hetimi anësor lidhur me të, jam i bindur që përfundimi do të jetë se kjo Ambasadë, nga Ambasadori tek i gjithë personeli, po kryenin pikërisht atë që duhet të bënin, të përfaqësonin në mënyrë të shkëlqyer SHBA-në dhe të ndërtonin marrëdhënien dypalëshe Shqipëri-SHBA, në nivelin e shkëlqyer, në të cilin ndodhen tani”, - tha Stjuart Xhouns.

Kryetari i komunës kërkon nga shteti që asgjësimi të kryhet gjatë dimrit, kur ka më pak lëvizje të banorëve

SHKODËR – Në komunën Gjegjan të Pukës aktualisht ndodhen 5500 tonë municione luftarake të kalibrave të ndryshëm që pritet të asgjësohen. Asgjësimi i municioneve do të bëhet pikërisht në këtë komunë, fakt që është përfshirë edhe në propozimet e Ministrisë së Mbrojtjes, për ta kthyer atë në një poligon asgjësimi. I pyetur lidhur me këtë fakt, kreu i komunës Gjegjan, Ndue Cara, u shpreh se ata presin mbërritjen e specialistëve të cilët do të merren me asgjësimin e municioneve. Sipas Carës, për këtë vit nuk ka pasur asgjësime, në një kohë që vitet e shkuara ky ka qenë një proces që është kryer rregullisht për arsyen e thjeshtë që, sipas tij, vendi ku pritet që të kryhet asgjësimi ka qenë poligon. Vendimi i Këshillit të Ministrave, sipas Carës, e ka shpallur vendin poligon asgjësimi, megjithatë pritet që ky vendim të hyjë në fuqi.

Asgjësimi

Gjatë këtij viti, në zonën e Gjegjanit nuk kanë ardhur ekspertë për të parë e studiuar zonën, ndërsa vitin e kaluar në të mësohet të kenë qenë ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Ndue Carës, gjatë këtij viti nuk është bërë asnjë asgjësim municionesh në Gjegjan, ndërsa thuhet se do të jetë një firmë amerikane e specializuar, e cila do të merret me këtë proces. Megjithatë, ende nuk dihet se cila është kjo firmë, pasi gjithçka ka mbetur e heshtur në këtë zonë që prej shpërthimit të ndodhur në Gërdec. Të njëjtën frikë kanë edhe banorët e zonës përreth, megjithëse nuk janë pranë vendit që ndodhet poligoni. Druajtja për ndonjë incident, apo më keq akoma, një tragjedi, ka bërë që ata të ngrenë zërin për masat që do të merren dhe kohën e kryerjes së asgjësimit. Kështu, megjithëse i shpallur poligon i asgjësimit, vetë kreu i komunës bën të ditur se gjatë verës kjo zonë është e frekuentuar dhe si rrjedhojë përbën rrezik për banorët përreth që kalojnë aty.

Frika

Megjithatë, nga ana e vetë përfaqësuesit të komunës së Gjegjanit bëhet e ditur se tashmë ekziston frika për dëmtimin e njerëzve dhe si rrjedhojë, nga pushteti vendor u është kërkuar institucioneve përkatëse, madje është vënë si kusht që asgjësimi i municioneve të bëhet në stinën e dimrit, pjesë-pjesë dhe në sasi të vogla. Kjo kërkesë është bërë për të evituar dëmtimet që mund të shkaktohen dhe për arsye sigurie, pasi në stinët e tjera, veçanërisht në verë, në këtë zonë të shpallur si poligon asgjësimi ka lëvizje njerëzish, kryesisht çobanë me kope të mëdha bagëtish. Sipas Carës, vendi ku ndodhen municionet luftarake është në listën e poligoneve kombëtare dhe ka qenë i tillë prej rreth 30 vitesh, kur ishte repart kundërajror. Poligoni është në Livadh –Hamëz, dhe ndodhet në komunën e Gjegjanit, ndërsa kufizohet nga tri njësi të qeverisjes vendore: bashkinë e Pukës, komunën e Gjegjanit dhe komunën e Rrapes.

Pasojat

Lidhur me pasojat që sjell në ekoturizëm përdorimi i këtij territori si poligon asgjësimi municionesh, kryekomunari Cara thekson se zona është futur në hartën e zonave turistike, por vendiku do bëhet asgjësimi i municioneve luftarake nuk është zonë turistike. “Aty është një pellg që nuk ka as bimësi dhe as lëndë druri, dhe rrethohet nga tre a katër kodra, që ndikojnë në uljen e efektit dhe valës goditëse të shpërthimit. Një gjë e tillë pritet që të jetë një siguri për kryerjen e asgjësimit.

Somario: Sipas Ndue Carës, gjatë këtij viti nuk është bërë asnjë asgjësim municionesh në Gjegjan, ndërsa thuhet se do të jetë një firmë amerikane e specializuar, e cila do të merret me këtë proces. Megjithatë, ende nuk dihet se cila është kjo firmë, pasi gjithçka ka mbetur e heshtur në këtë zonë që prej shpërthimit të ndodhur në Gërdec

Somario: Nga pushteti vendor u është kërkuar institucioneve përkatëse, madje është vënë si kusht që asgjësimi i municioneve të bëhet në stinën e dimrit, pjesë-pjesë dhe në sasi të vogla. Kjo kërkesë është bërë për të evituar dëmtimet që mund të shkaktohen dhe për arsye sigurie, pasi në stinët e tjera, veçanërisht në verë, në këtë zonë të shpallur si poligon asgjësimi ka lëvizje njerëzish,

PRECEDENTI

Poliçan, do të asgjësohen 113 kg lëndë plasëse

SKRAPAR- Pak kohë më pare, drejtori i Uzinës së Armëve në Poliçan, Kasëm Mahmutaj, dha dorëheqjen. Shkak për këtë, nën zë, u tha se ishte trysnia politike, pasi, pas Gërdecit, uzina e Poliçanit u piketua nga Ministria e Mbrojtjes për çmontimin e predhave dhe të municioneve të tjera që gjenden në tunelet dhe depot e armatimit të Poliçanit. Por, puna nuk filloi, megjithëse në këtë uzinë mbërritën 13 kamionët e parë me predhat antitank, murtaja, topa, fishekë 7,6 mm të kallashnikovëve etj. Shkak për mosfillimin u cilësua nevoja për asgjësimin e 113 kg lëndë plasëse të vendosur në 3 depo në uzinën C. Për këtë problem një muaj më parë në këtë uzinë mbërritën ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes me një plan të detajuar. Por ata nuk morën miratimin e Këshillit Bashkiak që kërkoi garanci për jetën e banorëve, pronat e tyre dhe ambientin. Madje, Këshilli Bashkiak i Poliçanit kundërshtoi fort kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për asgjësimin e municioneve, duke u shprehur se në rast se asgjësimi do të ishte i sigurt, leja nuk do të kërkohej. Madje, kërkimi i lejes u cilësua si një mënyrë e ministrisë për të hequr përgjegjësinë nga vetja në rast të ndonjë Gërdeci të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›