E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Pinari flet nga burgu: Nuk jam njohur me akuzën

 

Lorenc Vangjeli

Në derën e çdo qelie është shkruar nga jashtë emri i të paraburgosurit. Në korridorin e katit të dytë, pikërisht aty ku vite më parë ishin mbyllur ish-drejtuesit e lartë komunistë, ndodhen të paraburgosurit më të njohur. Dera hapet dhe nga një shtrat marinari ngrihen në të njëjtën kohë, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s dhe Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës së Gërdecit. Brenda është nxehtë. Duhma e shiut jashtë, brenda të merr frymën. Eshtë një qeli fare e ngushtë. Jo më shumë se shtatë-tetë metra katrorë. E ngushtë dhe e gjatë, në formë katërkëndëshi. Tre stola plastikë, një aparat televizori, një frigorifer në cep, frutiera dhe një tufë me libra. Mbi shtratin e Pinarit dhe një aparat tensioni.
"Si mund të kalohet këtu? Eshtë e vështirë, por njeriu mësohet shpejt dhe me gjithçka. Tashmë jam mësuar dhe me faktin që paskam kaluar një infarkt në zemër në dhjetorin e kaluar. Ndoshta duhet të bëj një koronografi", thotë Pinari. Vendos një kokërr trinitrinë nën gjuhë dhe shpjegon se është mjekuar prej kohësh nga zemra, por tashmë shqetësimet i janë shtuar. "Ankesa ndaj personelit"? Pinari qesh hidhur. "Asnjë, nuk kam asnjë ankesë, nëse më duhet ta bëj, do ta bëja për fatin. Kurrë nuk e kisha menduar veten këtu në këto rrethana!"
Eshtë një bisedë mjaft e vështirë. Eshtë një bisedë që nuk mund të shmangë arsyen se pse ai, Minxolli dhe Delijorgji janë që prej një viti të paraburgosur, ndërsa një skuadër me ushtarakë e civilë janë marrë të pandehur. Tensioni në qeli është i lartë. Në fillimjavë do të dalin përpara Gjykatës së Lartë. Edhe pse pranojnë se kanë shumë gjëra për të thënë, edhe pse janë përmendur në qindra e qindra artikuj gazetash, në foltore politike dhe debate televizive, ata kanë vendosur të heshtin. Të këshilluar nga avokatët e tyre për të mos folur me shtypin, ata presin ditën e ballafaqimit të madh.
Megjithatë, është hera e parë që prej një viti që flasin me shtypin.
Befas, secili nga ta, bën të njëjtin pohim të çuditshëm për një njeri në kushtet e tyre: "Nuk themi që jemi të pafajshëm. Nëse kam shkelur rregullat teknike, nëse kam gabuar këtu e aty le të dënohem. Por nuk kam dashur kurrë të vras njerëz", thotë me protestë të qetë e të lodhur Minxolli, duke përgatitur një kafe dhe duke ndezur një cigare pa mbaruar atë që ka në dorë. "Kam firmosur dhjetëra e qindra shkresa. Shumë nga to kanë qenë rutinë e punës dhe mund edhe të kem gabuar diku. Nuk e kthej dot mbrapsht kohën, çfarë nuk do të jepja për të qenë sot ndryshe", thotë Pinari.
Ndjehet që është i trishtuar. "Në këtë vit kam dëgjuar pothuaj gjithçka që kanë thënë për mua. Më kanë bërë kriminel, bandit, njeri të rëndomtë e gjithfarë epitetesh të tjera. Në opinion është hedhur shumë baltë. Jashtë nuk funksionon parimi i prezmimit të pafajësisë. Kjo baltë do të na ndjekë në gjithë jetën sido që të vejë puna. Por kjo është e keqja më e vogël. Nata është e tmerrshme. Nuk janë pak 26 viktima. O zot!"
Dhe befas, nis e flet për procedurën e hetimit. Ka një mijë e një detaje që duhet të ishin ndryshe. Tashmë një njohës i mirë i kodeve, ai thotë se në gjykatë do të mbrohet duke thënë se nuk është njohur me akuzën. "Më kanë dhënë dy CD kompjuteri, por ku ta gjej kompjuterin këtu në qeli për të njohur akuzën", thotë ai. "Unë kam qenë ushtarak, por jam arrestuar nga prokuror civil, por kush i sheh sot këto gjëra".
Më pas detaje dhe detaje të pafundme nga ajo çfarë përgatiti shpërthimin e 15 marsit. Zgjedhjet. Ndikimi i tyre në proces. Përballja me ushtarakët. Ndjehet i tradhtuar nga një pjesë e tyre. Fatmir Mediu? Eshtë një emër tabu dhe nuk përmendet. "E di që nuk do të më besosh dhe nuk ke pse të më besosh, por po të them që nuk e kam njohur kurrë baxhanakun e Berishës. Njëherë më kërkoi që të sillte dhe vëllain e tij në punë. I thashë se ishte punë e vështirë, por më tha se nuk kishte problem. Nuk di pastaj pse vëllai i tij nuk erdhi në Gërdec", thotë Minxolli. Pastaj vijojnë hamendësime të pafundme. Si ndodhi? Pse ndodhi? "Ka tre xhirime të vendngjarjes. Dy kuptohet që janë bërë rastësisht. I treti, xhirimi nga hotel 'Kontinental' në Vorë është bërë me kamera të vendosur në stativ. Ndoshta nuk do të mësohet kurrë e vërteta", thonë. Nuk e besojnë se shkëndija fatale ka ardhur nga saldimi i një karroce. "Ishte salduar gati 20 minuta më parë". Në qeli, teoritë konspirative janë krejt të besueshme. Në qeli, ka pak kohë për të menduar për veten. Në qeli, preokupimi kryesor është për ata që kanë mbetur jashtë. Për familjarët. "Ata e vuajnë më shumë se ne mbylljen këtu", thonë të dy.
Delijorgji
Eshtë vonë. Orët për të mbyllurit pa liri në qeli janë të pafundme, kanë kaluar krejt pa u ndjerë për ne të tjerët. Eshtë koha e vizitave të familjarëve. Dalim jashtë. Në korridor ndeshemi ballë për ballë me Delijorgjin. Eshtë i veshur me kostum të bardhë sportiv. Ka një gotë plastike me kafe në dorë dhe pi cigare. Shumë cigare. "Edhe një muaj, edhe një muaj të mos kishte ndodhur hataja dhe do të kishte mbaruar demontimi i predhave. Që atëherë janë demontuar vetëm 100 tonë", thotë Delijorgji. Duket i qetë ose më saktë di të fshehë mjaft mirë shqetësimin e tij. "Vrasjen nuk do ta pranojë kurrë. Nuk jam vrasës, në Gërdec vajta për të fituar, sepse jam biznesmen dhe jo për të vrarë", thotë me nervozizëm. "Nuk do të hidhja në erë gjithçka. Fati, fati i keq na mbylli këtu. Emri i Mediut është sërish tabu. Në korridoret e burgut ai është "Ai". "Ai" quhen dhe të tjerët rrotull kësaj historie.
Ikja
Rruga e kthimit është e njëjtë si më parë. Nga dritaret e vogla të secilës derë qelie dalin shtëllunga të dendura tymi cigaresh. Nga fundi i korridorit ka sërish avull. Dushet funksionojnë me ujë të nxehtë. Banjot janë të veshura me pllaka majolike. Por nuk kanë dyer. "Liria e të burgosurit, ta bësh atë punë me derë të hapur", qesh një nga të paraburgosurit që na ndjek me vështrim pyetës.
Jeta rrjedh sipas një rreth-rrotullimi 24 orësh të pandryshueshëm: zgjimi në orën 06:00 të mëngjesit, gjumë në orën 22:00 të mbrëmjes. Macja e zezë është sërish në oborr. Askush nuk e ngacmon. Ka ushqim për të gjithë. Shiu ka mbaruar. Ka diell tashmë. Brenda në korridore dritat qëndrojnë të ndezura tërë kohën. Në pjesën fundore të njërës prej dyerve është shkruar me laps plumbi: "Këtu ke përballë një mur, çdo çast është një përjetësi, ditët janë të pafundme dhe çdo vit ka pafundësisht ditë". Pak a shumë siç e ka thënë Oskar Uajldi. Por në Tiranë, tek 313, e ka shqipëruar sipas dhembjes vetjake, një dorë e panjohur. Tani ndoshta është jashtë. Ndoshta është ende brenda aty ku koha mbretëron ndryshe.

Marrë me shkurtime nga revista MAPO

"Gërdeci", gati salla me 150 vende

Trazhgim Sokolaj

Në Gjykatën e Lartë gjithçka është gati për procesin e madh të Gërdecit. Gjyqi i pazakontë me 28 të pandehur, 29 avokatë dhe pesë prokurorë do të fillojë më 4 maj 2009, në orën 10:00.
Salla e Kolegjeve të Bashkuara me kapacitet për 150 persona, ka pësuar disa modifikime të vogla ditët e fundit. Është shtuar numri i karrigeve në sektorin e ndarë për qëndrimin e të pandehurve, plot 28 persona në këtë proces. Secili prej tyre do të ketë nga një avokat, ndërsa Gjykata e Lartë ka caktuar vendin edhe për mbrojtësit ligjorë. Ata do të ulen pranë të pandehurve për ngjarjen më të rëndë të ndodhur në Shqipëri gjatë 10-vjeçarit të fundit. Thuajse përballë dy rreshtave të "bankës së akuzës", do të qëndrojnë pesë prokurorët e dosjes "Gërdeci". Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë thanë dje për gazetën "Panorama", se ky institucion ka marrë masat për zhvillimin normal të procesit. "Është përgatitur salla e Kolegjeve të Bashkuara, e cila ka një kapacitet për 150 persona. Janë bërë disa modifikime në këtë sallë, janë shtuar vendet në zonën ku qëndrojnë të pandehurit, janë marrë masa për vendosjen e mikrofonave në të gjitha vendet ku qëndrojnë pjesëmarrësit në proces", thanë burimet. Si rrallëherë më parë, Gjykatës i është dashur të shtojë vendet në dispozicion të prokurorëve, pasi kësaj radhe do të jenë pesë të tillë. Në gjyqet e zakonshme në Gjykatën e Lartë, marrin pjesë vetëm dy prokurorë, por kërkesa për gjykim e dosjes "Gërdeci" mban firmën e pesë përfaqësuesve të akuzës: Sokol Stojani, drejtues i grupit të hetimit, Arben Dollapi, Alfred Progonati, Arqile Koça dhe Kujtim Luli. Salla e Kolegjeve të Bashkuara, e cila është shfrytëzuar edhe më parë për aktivitetet e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, megjithatë është dashur të modifikohet në disa pjesë të saj. Gjykata e Lartë ka caktuar një hapësirë të nevojshme edhe për gazetarët që do të ndjekin procesin, duke qenë të pranishëm në ambientin ku ballafaqohen palët. Një hapësirë e mjaftueshme është caktuar edhe për qëndrimin e publikut, qytetarë që duan të ndjekin procesin nga afër si dhe për familjarët e të pandehurve. Edhe ata kanë vendin e tyre në sallën e madhe ku do të mund të hyjnë, pasi t'i nënshtrohen kontrollit fizik dhe identifikimit me dokumentet e nevojshme. Dosja e Gërdecit është e para e këtij lloji për sistemin shqiptar të drejtësisë, i cili më parë ka trajtuar çështje që maksimalisht kanë pasur 17 të pandehur. Madje, edhe në këto raste, jo të gjithë të akuzuarit kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, pasi disa janë hetuar dhe gjykuar në mungesë. Numri i të pandehurve në dosjen "Gërdeci", 28 persona, përfshirë këtu edhe avokatët për secilin prej tyre si dhe përfaqësuesin e kompanisë "Albademil", e çojnë në 57 persona numrin e pjesëmarrësve direkt në proces. Duke numëruar edhe pesë prokurorët, numri i personave në sallë shkon në 62. Kësaj i shtohen edhe pesë anëtarët e trupit gjykues si dhe Avokati i Shtetit. Veç këtyre 68 personave, në proces do të jenë të pranishëm edhe 14 përfaqësues të 26 personave të vdekur në tragjedinë e Gërdecit. Në këtë mënyrë numri i personave të pranishëm arrin në 82 pa përfshirë përfaqësuesit e medias që do ndjekin gjyqin, familjarët e të pandehurve apo të plagosurve, banorë të zonës së Gërdecit si dhe vëzhguesit që do të jenë të pranishëm gjatë zhvillimit të gjyqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›