Meta: Plan konkret për të ringritur industrinë agro-përpunuese
Kryetari i Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Prof. Edmond Panariti dhe nga drejtues të tjerë të LSI-së, vizituan një nga fabrikat agro-përpunuese në Tiranë. Pas inspektimit të kësaj fabrike dhe bashkëbisedimit që Ilir Meta zhvilloi me punonjësit e kësaj fabrike, ai shprehu entuziazmin e tij që vizitoi një fabrikë të tillë, duke u shprehur se "ishte një kënaqësi që vizitova një fabrikë qumështi, sepse angazhimi ynë është për të ringritur dhe gjallëruar industritë agro-përpunuese në vend, me qëllim që djersa dhe mundi i fermerëve shqiptarë të mos hidhet në lumë, por të dalë në treg me një vlerë akoma më të lartë. Këtë e siguron vetëm ky lloj biznesi agro-përpunues". "LSI ka një plan shumë të qartë për të rigjallëruar industritë agro-përpunuese, së pari, duke garantuar një mbledhje shumë më të madhe të prodhimit me një cilësi më të lartë nga fermerët dhe prodhuesit shqiptarë përmes subvencionimit të prodhimit që parashikon plani i LSI-së", tha Meta. Për kreun e LSI-së nxitja dhe ringjallja e këtij biznesi do të nisë nëpërmjet nxitjes dhe garancive që do t'u jepet bankave përmes krijimit të një fondi garantues për bankat për kreditë që do të jepen për investime në biznes dhe sidomos në bujqësi, por dhe në zhvillimin e qendrave agro-përpunuese në vend, me anën e të cilit do të bëhet e mundur nxitja dhe investimi për të tilla fabrika.
Sipas Metës, Lëvizja Socialiste për Integrimi njëkohësisht do të krijojë fonde investimi, "në mënyrë që të garantojmë një partneritet me bankat për investime të rëndësishme kapitale, sidomos në industritë agro-përpunuese, ku kreditë kërkojnë një kohë të gjatë për t'u shlyer.