E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtin portat në Gjakovë e Vushtrri

Gjakova e Vushtrria ishin arenat e vetme në të cilat të dielën u zhvilluan ndeshje të Superligës. Por, në të dyja ato, rrjetat e portave kanë heshtur. Vëllaznimi ka luajtur pa gola me Dritën, derisa 0:0 ka përfunduar edhe përballja mes Llamkos Kosovës e Besës.

Njëra prej ndeshjeve kryesore të xhiros së gjashtë të Superligës, ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Dritës, e zhvilluar të dielën në Gjakovë, ka përfunduar pa fitues.

Kjo pasi përballja mes këtyre dy ekipeve që po kalojnë nëpër një formë të mirë ka përfunduar baras, 0:0.

Në fakt, Vëllaznimi ka bërë përpjekje të mëdha për të shënuar gol, por nuk ia ka dal. Madje, kuqezinjve njëherë shtylla e portës së gjilanasve ua ka mohuar golin. Por, edhe Drita i ka pasur rastet e saj. Bardh e kaltrit disa herë janë treguar shumë të rrezikshëm, kryesisht nëpërmjet kundërsulmeve.

Kështu, dueli ka përfunduar pa fitues. Ky ishte barazimi i tretë për gjakovarët në këtë kampionat, krahas dy fitoreve e një disfate. Ndërsa, për Dritën ky është barazimi i dytë karshi tri fitoreve e një humbjeje.

Gjilanasit tani e shohin vetën në pozitën e tretë të tabelës me 11 pikë, tri më pak sesa lideri Trepça ’89 dhe dy më shumë sesa Vëllaznimi që është ngjitur në pozitën e katërt.

Llamkos Kosova – Besa 0:0

Llamkos Kosova sërish i ka zhgënjyer tifozët e vetë. Madje, kësaj radhe në shtëpi të vet nuk ka mundur të fitoj më shumë sesa një pikë përball Besës, e cila sivjet është më e dobët ndoshta si asnjëherë në periudhën e pasluftës.

Përballja mes vushtrriasve e pejanëve ka përfunduar baras, 0:0 – rezultat ky që e kënaqi Besën, derisa zhgënjeu kampin vushtrrias, e mbi të gjithë tifozët e tyre ‘Forca’.

Ekipi i Besnik Kollarit ka dominuar në fushë, por assesi nuk ia dal ta tund rrjetën e portës së pejanëve.

Kështu, Llamkos Kosova mbetet në pjesën e poshtme të tabelës me vetëm 6 pikë, një më shumë sesa Besa. Ky ishte barazimi i tretë i vushtrriasve, të cilët deri më tash e kanë shënuar vetëm një fitore, ndërsa i kanë pësuar dy humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›