Het-triku i parë

Lionel Messi është përballur me kritika të ashpra, që e akuzonin se rezervon paraqitjet e tij më të mira për Barcelonën, por het-triku i tij i parë për Argjentinën ishte përgjigje e përkryer për të gjithë ata që dyshonin në angazhimin e tij për Gauçosët.
“Kam pritur këtë moment për një kohë të gjatë sepse në shumë raste nuk shkoi mirë për mua”, tha Messi për një televizion argjentinas, pas fitores 3-1 ndaj Zvicrës në miqësoren e së mërkurës në Bernë.
“Tani gjërat shkuan mirë, ekipi fitoi dhe luajtëm mirë. Është e veçantë sepse ndodhi me ekipin kombëtar”, shtoi ai, duke pranuar se do të ruajë topin e het-trikut. “Do të marr me vete këtë top dhe do ta ruaj përgjithmonë. Është het-triku im i parë me Argjentinën”, theksoi tri herë futbollisti më i mirë i vitit në botë.
Dështimi për të shënuar në Kampionatin botëror 2010 si dhe Copa America ka sjellë dyshime rreth angazhimit të tij me Argjentinën dhe e shndërruan në fajtor për rezultatet zhgënjyese të ekipit.
Messi ka fituar të gjithë titujt e mundshëm me Barcelonën, përfshirë pesë tituj në La Liga, tri Liga të Kampionëve, dy tituj të Kampionatit botëror të klubeve. Por, në nivelin ndërkombëtar ka fituar vetëm dy tituj dhe ato me grupmoshat e reja – Kampionatin botëror U-20 më 2005 dhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike më 2008.
“E kam thënë në shumë raste se nuk mund të krahasohemi me Barcelonën, janë dy gjëra të ndryshme, por edhe ekipi kombëtar ka futbollistë të mirë, të aftë të zhvillojnë ndeshje të mira. E njoh Agueron për një kohë të gjatë njësoj sikurse Higuainin, është lehtë të krijojmë mirëkuptim me ta në fushë dhe të kemi marrëdhënie të mira jashtë saj, që është po ashtu e rëndësishme. Ka mjaft hapësira për përmirësim, ne vetëm duhet të vazhdojmë kështu”, përfundoi Messi.
Selektori Alejandro Sabella, i cili udhëhoqi ndeshjen e tij të dhjetë prej kur zëvendësoi Sergio Batistan pas Copa Americas, nuk kishte asgjë tjetër përveç lëvdatave për Messin, duke thënë se është “fat” për Argjentinën që e ka atë në skuadër.
“Messi gati gjithmonë luan mirë, së fundmi ai ka zhvilluar disa ndeshje të shkëlqyeshme. Ne duhet ta mbrojmë dhe të gjithë t’i ndihmojmë atij, futbollistët dhe stafi teknik. Fakti se nuk kishte shënuar nuk do të thotë se nuk luajti mirë në Kampionatin e fundit botëror. Ai përgatiti disa gola dhe krijoi shumë raste. Nganjëherë topi hyn e nganjëherë jo”, tha Sabella i cili theksoi se prioriteti i Argjentinës duhet të jetë shërbimi i Messit.
“Ne duhet të sulmojmë më së tepërmi me futbollistët që janë të lëvizshëm dhe të shpejtë”, përfundoi Sabella.