E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e re e Mehmedit

Admir Mehmedi gjendet përpara një të ardhmeje emocionuese. Si 20 vjeçar e ka lënë Zurichun për të shkuar në drejtim të Kievit, ndërsa jeta në Ukrainë për të është gjithçka e re.

“Në Zvicër dihet se çka do të ndodhë javën tjetër, kurse në Ukrainë jeta është gjithçka spontane dhe e rastësishme. Në Dinamo ka ndryshuar gjithçka për mua”, u shpreh mesfushori shqiptar, i cili luajti të mërkurën mbrëma në miqësoren ndërmjet Zvicrës dhe Argjentinës.

Për futbollistin shqiptar nga Maqedonia kjo ishte hera e parë që u kthye në Zvicër, prej transferimit të tij në Dinamo Kiev gjatë janarit. Ndërrimi i ambientit, shton ai, ka qenë i mirë për të. Ai është i kënaqur që në fund të muajit nisi ta shijonte një botë tjetër. Një jetë ku gjithçka është e re dhe ai vetë është pjesë e panjohur e saj.

“Presioni sigurisht është më i madh. Dynamo duhet të jetë gjithmonë në pozitën e parë ose të dytë në kampionat, në të kundërtën bëhet kaos në Kiev. Gjithçka është më e madhe në krahasim me Zurichun. Konkurrenca në ekip, po ashtu”, shpjegon Mehmedi.

Ai e ka nderin që luan përkrah lojtarëve të njohur si Andrei Shevchenko e Ideye Brown, por thotë se nuk i frikësohet konkurrencës. “Dynamo më ka konfirmuar se më do dhe se llogarit në mua. Kjo është konfirmuar deri tash, pasi kam luajtur rregullisht në ndeshjet miqësore”, shtoi Mehmedi i cili u transferua në Dynamo për 4,5 milionë euro.

Pensionimi i paralajmëruar i Shevchenkos, gjatë kësaj vere, do t’ia hapë rrugët edhe më shumë futbollistit shqiptar që të luajë në vazhdimësi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›