E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhemajli ia shpagoi besimin Mazzarrit

Walter Mazzarri i besoi dhe ai ia shpagoi besimin. Blerim Xhemajli i është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme besimit që ia dha trajneri italian për sfidën e rëndësishme ndaj Interit.

Mesfushori shqiptar bëri paraqitje të shkëlqyeshme ndaj Nerazzurrëve, duke e zëvendësuar perfekt Marek Hamsikun, i cili mungoi në atë ndeshje.

Madje, përfaqësuesi zviceran e dha asistin e golit të Ezequiel Lavezzit, i cili doli të ishte vendimtar në takim. Për këta paraqitje të Xhemajlit s’ka si të mos jetë i lumtur edhe trajneri Mazzarri.

“Blerimi më garanton ekuilibër taktik, sepse arrin t’i bëjë presion kundërshtarit dhe ta ndalë atë. Më pas është i mirë edhe në fazën ofanzive”, shpjegoi trajneri italian për Gazzetta dello Sport. – “Jo rastësisht e kam preferuar para Pandevit kundër Interit. Për fat të mirë ai ma ka shpaguar këtë besim me një paraqitje të shkëlqyeshme”, shtoi Mazzarri.

Xhemajli nuk dëshiron ta thërrasin zëvendësues të Hamsikut. Futbollisti me pasaportë zvicerane thotë se ka karakteristika të ndryshme karshi sllovakut, por shton se do të luajë kudo që i thotë trajneri.

Në fundjavë, ekipi napolitan do të luajë ndaj Parmës. Për Xhemajlin kjo ndeshje ka domethënie të veçantë, pasi që së fundmi ka luajtur pikërisht tek Parma para se të transferohej në San Paolo.

“Kam shumë miq atje, nuk mund të jetë kurrë një ndeshje si të tjerat. Do të jetë një emocion i veçantë”, tha Xhemajli i cili të mërkurën mbrëma luajti për Zvicrën në miqësoren me Argjentinën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›