E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim 2 doganierëve për mallrat pa faturë

27/01/2005  

Kaluan emigrantin

DURRES - Dy doganierë të doganës së Durrësit janë proceduar penalisht, pasi ata kanë lejuar të kalojë nga territori i portit një automjet me mallra të pazhdoganuar. Doganierët Ferdinand Limaj dhe kolegu i tij Artan Islami, të dy banorë të qytetit të Durrësit, do të duhet të përballen me organet e drejtësisë së Durrësit për të dëshmuar arsyet që i kanë shtyrë ata të mos i presin faturën e doganës për

mallrat e futura nga jashtë të një emigranti shqiptar në Itali. Policia e Durrësit ka konfirmuar se një natë më parë ka bllokuar në dalje të portit një automjet tip “Benz” furgon, me targa RE 501507, pronë e emigrantit shqiptar Veton Bajraktari. Ndërsa furgoni ka dalë nga sheshi i trageteve, drejtuesi i Benzit, që ishte pronar i mallit, është nisur në drejtim të postbllokut nr.4, i vendosur në dalje të portit. Por policët e shërbimit, të cilët kanë lënë mjetin të kalojë traun, e kanë ndaluar për kontroll vetëm pak metër më tej. Automjeti i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm dhe se pronarit i është kërkuar edhe faturën e zhdoganimit të mallit që transportohej me furgon. Duke qenë se 34-vjeçari Bajraktari, i lindur në Mirditë dhe emigrant në Itali, nuk kishte një faturë të tillë, policia e ka detyruar të kthehet, duke e shoqëruar në komisariatin e policisë së portit. Sipas bluve të Durrësit, në autojmet janë gjetur mallra të pazhdoganuar, por që nuk është cilësuar lloji i mallit si dhe as fakti nëse bëhet fjalë për mallra të përdorura apo jo. Gjatë kontrollit të imtësishëm në mjetin e Bajraktarit janë gjetur edhe disa vegla pune edhe këto të pazhdoganuara. Emigranti, pasi u ka treguar pasaportën me vizë italiane, ka dëshmuar para agjentëve të policisë se mjeti dhe malli ishin pronë e tij, ndërkohë që thuhet se ngarkesa ka qenë disa televizorë të përdorur dhe mjete të tjera pune të blerë në Itali. Në pikën e kontrollit malli është kontrolluar nga doganierët Limaj dhe Islami, të cilët nuk i kanë prerë faturë për zhdoganim malli. Për këtë arsye, të dy doganierët janë pezulluar nga puna në pritje të përfundimit të hetimeve nga organi i prokurorisë së rrethit. Nëse ekspertë të organit të akuzës do të konstatojnë se elektroshtëpiaket kanë qenë të reja, doganierët do të përballen me togat e zeza. Por burime jo zyrtarë pohojnë se mallrat kanë qenë të përdurura dhe se pronari i mallit i kishte sjellë në Shqipëri për familjen e tij dhe të afërmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›