E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet me armë kreu i KESH

27/01/2005  

KRUJE/ Pjetër Caka ndalohet nga tre persona të maskuar

KRUJE - Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë kërcënuar me armë përgjegjësin e agjencisë elektrike të Krujës. Shtetasi Pjetër Caka ka bërë kallëzimin penal në organet e policisë, duke deklaruar se tre persona i kanë prerë rrugën në kohën që ai po udhëtonte me automjetin e tij. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, duke iu referuar dëshmisë së personit të kanosur, ka thënë se përgjegjësi i agjencisë së elektrikut Krujë ka qenë duke udhëtuar në rrugën e vjetër në kufirin midis Thumanës dhe Borizanit. Gjithnjë sipas policisë, tre persona, njëri prej të cilëve me armë automatike, e kanë kërcënuar Cakën, duke e paralajmëruar se do e vrasin nëse nuk furnizon me energji elektrike fshatin Gramëz. Përgjegjësi Caka ka deklaruar se nuk njihte asnjërin nga kërcënuesit, ndërkohë që ka pohuar se dy prej tyre kanë qenë të maskuar dhe fytyrë të padukshme. Ata thuhet se kanë qëlluar në ajër sapo e kanë detyruar Cakën të ndalojë mjetin e tij, duke e paralajmëruar se do ta vrasin. Ndaj këtij rasti ka reaguar drejtori i zonës elektrike në Durrës, Llambi Karamani. Ai ka thënë se ky është rasti më ekstrem i kërcënimit që i bëhen punonjësve dhe drejtuesve të elektrikut. Sipas Karamanit nuk mungojnë edhe rastet kur faturues dhe elektricistë gjenden përballë fyerjeve dhe grindjeve me shtetas, të cilët nuk përgjigjen për likuidimin e faturës apo edhe të të tjerëve që bëjnë lidhje të paligjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›