E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim 3 grave, mbollën kanabis

“Na lironi burrat, se drogën e kemi mbjellë ne”. Tre gra, një prej të cilave 80-vjeçe, u arrestuan nga policia e Sarandës, pasi morën mbi vete fajësinë për kultivimin e kanabis sativës në bahçet e tyre. 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Duke u justifikuar me faktin se, bashkëshortët nuk kishin dijeni për drogën e mbjellë sakrifikuan veten dhe pse rrezikojnë disa vjet burg.
Një aksion blic, i nisur pas grumbullimit të informacioneve në rrugë operative nga policia e rrethit jugor, çoi në zbulimin dhe asgjësimin e 232 rrënjëve bimë narkotike të tipit kanabis sativa. Ato ishin mbjellë në 3 oborre shtëpish dhe në një përrua, në fshatin Rusan të Delvinës. Sipas burimeve policore, në oborrin e shtëpisë së familjes Duka, në këtë fshat, u gjetën të mbjella 5 rrënjë kanabis. Menjëherë forcat policore kanë shoqëruar në Komisariatin e Delvinës, kryefamiljarin Luan Duka. Nga kjo familje, operacioni është shtrirë në banesat e familjeve Jupi e Vaja, në Rusan, ku janë gjetur përkatësisht 57 dhe 50 rrënjë bimë narkotike. Dy kryefamiljarët, Besnik Jupi e Fatmir Vaja, janë shoqëruar nga policia e Sarandës për në komisariatin më të afërt, atë të policisë së Delvinës. Po kështu, në vendin e quajtur “Përroi i Borisë”, po në fshatin Rusan, janë zbuluar gjithashtu 120 rrënjë të tjera, por policia nuk ka mundur të gjejë autorin e mbjelljes së tyre. Pas shoqërimit të tre burrave ka nisur puna hetimore për të zbuluar kultivuesit e drogës. Por çuditërisht kanë qenë bashkëshortet e tyre, ato që kanë marrë përsipër mbjelljen e kanabisit, duke bërë që tre shtetasit Duka, Jupi e Vaja të lirohen. Për rrjedhojë sipas burimeve policore, mbjelljen e 5 rrënjëve kanabis sativa në oborrin e banesës ku jetonte familja Duka, e ka marrë përsipër shtetasja Këze Duka, 51 vjeç. Për shkak të numrit të vogël të rrënjëve u vendos ndjekja e saj në gjendje të lirë, për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”. Mbjelljen e 57 rrënjëve në oborrin e banesës së familjes Jupi, e ka marrë përsipër Dylbere Jupi, 80 vjeçe, e cila gjithashtu do të ndiqet në gjendje të lirë, për shkak të moshës. Ndërsa, mbjelljen e 50 rrënjëve në oborrin e banesës së familjes Vaja, e ka marrë përsipër Merita Vaja, 40-vjeçe. Ndryshe nga dy të parat, për këtë shtetase është prerë fletë-arresti në kushtet e flagrancës dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë Sarandë. Nga ana e policisë po punohet intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Asgjësohen 30 mijë rrënjë drogë
SHKODER - Mbi 30 mijë rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar brenda 2 ditësh, në një operacion të koduar me emrin “Target 2” nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës. Operacioni i parë u krye në Komunën e Shkrelit, ku u zbuluan dhe shkatërruan narkotikë kanabis sativa. Në krye të këtij operacioni ishte vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës Nikolin Bala, si dhe shefi i Komisariatit të Malësisë së Madhe. Ky operacion ka nisur në një nga komunat më problematike në Shqipëri për kultivimin e kanabisit, në atë të Shkrelit. Mëngjesin e së premtes, uniformat blu janë nisur në drejtim të Malësisë së Madhe, në bjeshkët e Duçajve, në vendin e njohur si “Bjeshkët e Draganit”. Në këtë operacion u mobilizuan rreth 200 forca policore si dhe 23 automjete, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së së Shkodrës dhe Tiranës. Aksioni vazhdoi dhe në fshatin Bratosh, të Komunës Kastrat e Komunën Guri i Zi. Megjithë aksionin e policisë, asnjë prej kultivuesve nuk është identifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›