E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet toka, 30 varre në lumë

BURREL - Rreth 30 varre të fshat Myzë kanë përfunduar në ujërat e lumit të Matit, ndërkohë banorët japin alarmin se për shkak të rrëshqitjes së tokës janë shembur shumë shtëpi e të tjera rrezikohen dita-ditës. 

Zhdukja e varreve të të parëve ishte paralajmëruar prej vitesh nga banorët. Duke parë se shtrati i lumit zgjerohej dhe toka rrëshqiste vazhdimisht, banorët e Myzës iu drejtuan komunës Lis, Prefekturës e Këshillit të Qarkut Dibër, Ministrisë së Pushtetit Vendor, etj., duke shprehur shqetësimin e tyre se varrezat ishin në rrezik. Tani që varret kanë përfunduar në lumë, banorët rishfaqin shqetësimin e tyre në lidhje me dëmtimin e rëndë të banesave dhe problemet e shumta social-ekonomike. Të afërmit e të vdekurve japin alarmin dhe kërkojnë marrjen e masave, që varrezat e mbetura të mos kenë të njëjtin fat. Si të mos mjaftonin problemet e shumta, si mungesa e ujit të pijshëm, gjendja e rëndë e rrugës, erozioni, etj., banorët e Myzës vazhdojnë të jenë të shqetësuar për varret, gjysma e të cilëve kanë përfunduar në ujërat e lumit të Matit. Përveç varrezave, banorët e Myzës kanë edhe një shqetësim tjetër të madh. Për shkak të erozionit shumica e shtëpive janë dëmtuar. Mure, çati, dysheme, tavane të çara. Pikërisht kjo i ka imponuar një pjesë të banorëve të Myzës të ikin nga vendlindja, pasi asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga pushtetarët.                                                                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›