E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dy lagje në protestë për ujë

VLORE - Banorët e dy lagjeve në Vlorë protestuan dje për mungesën e ujit prej gati dy javësh. 

Lagjet “Lirim” dhe “Llonxh”, që njihen si nga më të vjetrat në qytetin bregdetar, në çdo sezon veror turistik vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Banorët tashmë janë lodhur me ankesat e tyre nëpër institucione, të cilat me sa duket kanë shkuar në vesh të shurdhër. Dje ata vendosën të dalin në një protestë në lagjen e tyre për ta vijuar derisa Ndërmarrja e Ujësjellësit të marrë masa konkrete. “I kemi kërkuar ndërmarrjes së ujësjellësit të marrë masa për të na furnizuar me ujë, por ata na thonë se nuk kemi se çfarë të bëjmë, sepse në këtë periudhë harxhohet shumë ujë dhe ndërmarrja nuk e përballon dot situatën”, tha një banor protestues. Përfaqësues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit shprehen në lidhje me këtë situatë se banorët kanë të drejtë, por uji nuk shkon të këta banorë se nuk ka presion. Lagjet janë disi në nivel të ngritur, ndaj ata mbeten pa ujë për shkak se sasia e tij harxhohet edhe nga abuzimet në rrjet e më pas nuk ka presion të ngjitet deri tek ata. Për të furnizuar banorët me ujë është vënë në përdorim një bot i repartit të zjarrfikëses. Ata kanë mbushur ujë me bidonë nga ky bot, derisa të mundësohet ndonjë ndërhyrje konkrete nga ana e ujësjellësit. “Nuk kemi para ta blejmë as ujin për të pirë, ndaj jemi të detyruar që të përdorim ujin nga ky bot edhe për konsumin tonë. Shpresojmë të mos na përhapet ndonjë epidemi, pasi gjendja është alarmante. Nuk kemi ujë as për t’u larë”, ankohen banorët. Ata kërcënojnë se do ta vijojnë protestën e tyre, pasi gjendja është bërë e padurueshme dhe se tashmë nuk kanë se ku të ankohen.      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›