Hetim kreut të Komisionit të Tokave, i hoqi pronën një tjetri
DURRËS – Një ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave është vënë në pranga nga policia pasi dyshohet se i ka dhënë një personi tokën e pretenduar nga një shtetas tjetër. Pasi ka marrë kallëzimin nga i dëmtuari uniformat blu të Durrësit kanë ndaluar dhe më pas prokuroria ka vendosur ta hetojë në gjendje të lirë Rushdi Aliun, 58 – vjeç, lindur në Fier e banues në Fermë Xhafzotaj, Komuna Rrashbull Durrës, me arsim të lartë, i padënuar më parë.
Kallëzimi
Ruzhdi Aliu, me detyrë Kryetar i Komisionit për Ndarjen e Tokave në Xhafzotaj do të përgjigjet për akuzat e ngritura ndaj tij për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Procedimi penal në ngarkim të tij filloi bazuar në kallëzimin e bërë në Polici nga shtetasi D. K., 41 - vjeç, lindur e banues në Fermë Xhafzotaj, Komuna Rrashbull Durrës. Denoncuesi pretendon se Ruzhdi Aliu, duke qenë kryetar i Komisionit për Ndarjen e Tokës, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve i ka dhënë në pronësi një sipërfaqe toke prej 8.4 hektarë shtetasit F. D., 46 vjeç, banues në Xhazotaj. Nga hetimet paraprake të kryera lidhur me këtë rast rezultoi se kjo sipërfaqe toke, në bazë të dokumenteve të vitit 1931, i përket shtetasit D. K. Në cilësinë e provës materiale u bë bllokimi i dokumentacionit të shtetasve F. D. dhe D. K. Materialet për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Abuzimi me tokat
Pak muaj më parë, Task Forcë, preu fletë - arrestet për tetë ish- zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye liria falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes solli për gjykim dosjen në gjykatë. Pas dy seancash gjyqësore të pandehurit kërkuan gjykim shkurtuar. Tani është në çmim të gjykatës për vazhdimësinë e këtij procesi dhe ndëshkimin e zyrtarëve.
28 Korrik 2008