Virozat e stinës, brenda 12 orëve 100 fëmijë në Urgjencën e Pediatrisë
Virozat e stinës dhe luhatjet e temperaturave kanë shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve të paraqitur në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë. Mësohet se vetëm gjatë 12 orëve të fundit, në Urgjencën e Pediatrisë janë paraqitur rreth 100 fëmijë. Por një numër i lartë vizitash është paraqitur edhe në Urgjencën e Kardiologjisë, ku vetëm një ditë më parë kanë shkuar për të bërë vizitë 35 pacientë, të cilët kanë pasur probleme kardiake, me tensionin si dhe vështirësi në frymëmarrje. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës. Në këto të fundit, përfshihen gjendja gripale, problemet shëndetësore si temperatura, problemet me stomakun, diarreja etj. Mjekët sqarojnë se trupi i njeriut është më i predispozuar për t’u prekur nga virozat e stinës gjatë ndryshimit të temperaturave dhe ndërrimit të stinëve.
28 Korrik 2008