E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultatet e provimeve me zgjedhje, “digjen” mbi 5 mijë maturantë për në universitet



Jonida Tashi

Maturantët kanë “dështuar” në testimin e dijeve të tyre për dy provimet me zgjedhje, pasi nota mesatare në shkallë vendi për këto provime ka qenë tepër e ulët 6.3. Fakt ky që ndryshe nga dy provimet me detyrim, nuk është krahasuar me rezultateve e viteve të mëparshme nga institucionet përkatëse. Rezultatet e provimeve me zgjedhje kanë përcaktuar edhe humbësit e parë të garës së madhe për të zënë një vend në auditoret e universiteteve, e cila po shkon drejt fundit. Sipas rezultateve të publikuara, 18 për qind ose mbi 5 mijë të rinjë e kanë humbur të drejtën për të ndjekur studimet e larta këtë vit. Ndërkohë, më shumë shanse për t’u ulur në auditoret e universiteve do të kenë maturantët që një njërën nga lëndët me zgjedhje janë testuar për gjuhët e huaja Anglisht dhe Frengjisht. Në këto dy lëndë kalueshmëria edhe nota mesatare ka qenë më e lartë karshi lëndëve të tjera. Por përveç këtij fakti, Anglishtja është lënda që ka koeficinetin më të lartë nga lëndët me zgjedhje 1.3 dhe që është koeficientuar njëlloj nga të gjitha fakultetet.
Pikët
Tashmë maturantët që kanë mundur të sigurojnë pikët kaluese në provimet me zgjedhje duhet të kryejnë vetëm përllogaritjen e pikëve të marra dhe të presin nisjen e rregjistrimeve në universitete. Ditën e djeshme, ka përfunduar edhe korrigjimi i provimeve me zgjedhje dhe afishimi i tyre do të bëhet pranë shkollave përkatëse në të gjithë vendin. Sipas rezultateve të publikuara nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), 82.42 për qind e maturantëve kanë rezultuar kalues në këto provime me notë mesatare 6.3. Ndërkohë që vetëm 30 maturantë nga 27 987 kanë mundur të marrin pikët maksimale në këto provime. Sipas rezultateve të publikuara nga AVA, lënda “Njohuri për Shoqërinë” ka qenë më e preferuara këtë vit nga të rinjtë.
Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe katër provimet e Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2008-2009. Ndërsa publikimi i emrave fitues, do të bëhet në fillim të muajit shtator, sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Kalueshmëria
Kalueshmëria e maturantëve në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, llogaritet në 82,42 për qind në shkallë vendi. Por në këto provime më të rëndësishme janë notat dhe jo kalueshmëria. Drejtori i Qendrës së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, publikoi dje në një konferencë për shtyp, rezultatet e provimeve me zgjedhje, duke nënvizuar se nota mesatare 27 987 maturantëve pjesëmarrës në testim llogaritet 6.3 për të gjitha lëndët. Nga të dhënat e AVA-s, një strukturë në vartësi të Ministrisë së Arsimit, rezulton se në lëndën me zgjedhje të Fizikës kalueshmëria e maturantëve është 81.05 për qind me një notë mesatare prej 6.63; Në Kimi kanë kaluar 79.32 për qind e nxënsve me një notë mesatare 6.34; Në Biologji kanë kaluar 72.18 për qind e maturantëve me një notë mesatare 5.91; Në Histori kanë kaluar testin 77.30 për qind e nxënësve me një notë mesatare 5.79; Në Gjeografi kanë kaluar 77.07 për qind e maturanëtve me një notë mesatare 5.63; Në Njohuritë për Shoqërinë kanë kaluar 89.54 për qind e nxënësve me një notë mesatare 6.5; Në lëndët Ekonomi dhe Filozofi kanë kaluar 74.15 për qind e nxënësve me një notë mesatare 5.98; Në gjuhën Angleze kanë marrë provimin 92.40 për qind e nxnësve me një notë mesatare 7.12; Në gjuhën Frënge kanë kaluar 92.61 për qind e maturantëve me një notë mesatare 7.07. Procesi i korrigjimit të testeve me zgjedhje, nisi rreth dy javë më parë në të katër Qendrat e Vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier, ndërkohë që rezultatet e maturantëve do të afishohen nesër në të gjitha shkollat e mesme. Ky proces do të përfundojë në datën 28 korrik 2008.

Rezultatet sipas lëndëve

1. Fizika
Numri i nxënësve në testim 1821
Kalueshmëria 81.05%
Nota mesatare 6.63
2. Kimi
Numri i nxënësve në testim 4545
Kalueshmëria 79.32%
Nota mesatare 6.34
3. Biologji
Numri i nxënësve në testim 6277
Kalueshmëria 72.18%
Nota mesatare 5.91
4. Histori
Numri i nxënësve në testim 5221
Kalueshmëria 77.30%
Nota mesatare 5.79
5. Gjeografi
Numri i nxënësve në testim 4335
Kalueshmëria 77.07%
Nota mesatare 5.63
6. Njohuri për shoqërinë
Numri i nxënësve në testim 17109
Kalueshmëria 89.54%
Nota mesatare 6.50
7. Ekonomi, Filozofi
Numri i nxënësve në testim 8641
Kalueshmëria 74.15%
Nota mesatare 5.98
8. Gjuhë Angleze
Numri i nxënësve në testim 7790
Kalueshmëria 92.40%
Nota mesatare 7.12
9. Gjuhë Frënge
Numri i nxënësve në testim 230
Kalueshmëria 92.61%
Nota mesatare 7.07

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›