Kriza, ulen të ardhurat tatimore
bledar hotiKriza financiare ka ulur me 122 milionë dollarë të ardhurat vetëm gjatë muajit nëntor. Gazeta zbardh tabelat zyrtare të ardhurave dhe shpenzimeve. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se totali i të ardhurave që duhet të hynin në arkën e buxhetit gjatë nëntorit ishin parashikuar 34.403 miliardë lekë, dhe janë realizuar vetëm me 22.628 miliardë lekë. Kriza e amplifikuar gjatë nëntorit ka bërë që të dyfishohet brenda vetëm 30 ditëve i gjithë deficiti i këtij viti. Sipas të dhënave, në fund të tetorit, deficiti në të ardhura ishte 10,603 miliardë lekë ndërsa në fund të nëntorit arriti në 22,379 miliardë lekë, pra më shumë se dyfishi i të gjithë 10-mujorit të këtij viti. Gropa e tatimeveNëntori duket muaji më i keq fiskal i qeverisë. Plani tatimor, sipas shifrave zyrtare, është realizuar vetëm me 78.5 për qind, ose me një mungesë të ardhurash prej rreth 47 milionë dollarësh. Tatimet duket se kanë dështuar në të gjitha zërat e të ardhurave. TVSH është realizuar vetëm 80 për qind e planit me një diferencë prej rreth 20 milionë dollarësh. Në tabelën e financave, realizimi më i dobët është ai i akcizave, me vetëm 55 për qind të planit të nëntorit. Akcizat i merren produkteve të forta si, nafta, cigaret dhe alkooli. Por edhe pse mbledhja e tatimeve ka dështuar në nëntor, doganat kanë tejkaluar planin me 1 për qind. Ndoshta nga përdorimi i çmimeve të referencës.Rrogat dhe fitimiTatimi mbi fitimin është realizuar me 90 për qind. Por, tatimi mbi të ardhurat personale, është indikatori më i fortë se kriza po shtrihet te familjet shqiptare. Sipas financave, plani mujor i këtij tatimi është realizuar vetëm me 65 për qind, me një deficit prej rreth 11 milionë dollarësh. I gjithë mosrealizimi, ka të bëjë me pagesën e rrogave nga biznesi. Kjo pasi në zërin e shpenzimeve për paga, qeveria e ka tejkaluar pagesën për buxhetorët dhe sigurisht që ka mbledhur edhe tatimin mbi të ardhurat personale. Pra, deficiti i takon totalisht biznesit. Me një llogari të thjeshtë, duke qenë se tatimi është 10 për qind, dhe deficiti 11 milionë dollarë, gjatë nëntorit, bizneset private nuk kanë dhënë rreth 110 milionë dollarë pagesa për të punësuarit e tyre. Burime nga financat, tregojnë se edhe tatimet gjatë nëntorit janë treguar “dorëlëshuar” me biznesin duke qenë se efektet e krizës po shtoheshin. Sidoqoftë, llogaria tregon për 110 milionë USD paga të papaguara, ose 11 milionë USD tatim i pambledhur. Bashkitë dështojnë Por duket se menaxhueset më të dobëta në mbledhjen e të ardhurave janë bashkitë. Dështimi i vendorëve është i frikshëm, ku gjatë nëntorit kanë arritur të mbledhin vetëm 25 për qind të të ardhurave të parashikuara. Tabela tregon se nga 2.640 miliardë lekë që duhet të mblidheshin, janë mbledhur vetëm 665 milionë me një deficit prej 20 milionë dollarësh. Dështimin e tregon qartë mbledhja e tatimit mbi pasurinë, i cili është realizuar vetëm me 8 për qind. Ndërsa tatimi mbi biznesin e vogël vetëm 28 për qind.ShpenzimetSidoqoftë qeveria ka ulur ndjeshëm edhe zërin e shpenzimeve. Duhet theksuar se gjatë nëntorit, shpenzimet janë realizuar me 88 për qind, apo rreth 57 milionë dollarë më pak sesa planifikimi. Qeveria ka kursyer në shpenzimet korente dhe ato operative rreth 55 milionë dollarë. Ky një hap që tregon qartë se në kohë krize, shpenzimet për administratën duhen dhe janë rishikuar. Edhe pse kriza është evidente, dhe e theksuar gjatë nëntorit, qeveria nuk e ka ulur ritmin e investimeve. Vetëm gjatë nëntorit, për rrugën Rrëshen-Kalimash, janë shpenzuar 57 milionë dollarë, ose rreth 21 milionë dollarë më shumë sesa planifikimi. Kjo edhe pse të ardhurat, gjatë nëntorit ishin 122 milionë më pak sesa planifikimi. I gjithë zëri i shpenzimeve kapitale është realizuar me 97 për qind. DeficitiPjesa më e frikshme e krizës ekonomike, nuk është mungesa e parave në buxhet, por mënyra se si ato gjenden. Gjatë nëntorit, deficiti buxhetor është rritur me 73 për qind, ose 65 milionë dollarë më shumë se planifikimi. Por lajmi i mirë është që qeveria nuk ka përdorur bonot e thesarit si mjet për të financuar deficitin e saj në rritje të frikshme. Tabelat tregojnë se edhe pse deficiti është rritur me 173 për qind e planit, financat kanë përdorur të ardhurat nga privatizimi për të mbushur gropën e biznesit. Në të kundërt, në krahasim me planin, financimi i deficitit nga huamarrja e brendshme është ulur me rreth 32 milionë dollarë. Paratë janë gjetur nga privatizimet, ku shuma e përdorur është rreth 50 milionë dollarë.