E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ponari, konsull nderi i Japonisë në Shqipëri

 Avni Ponari, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria është emëruar nga Ministria e Jashtme e Japonisë Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri për një mandat 5-vjeçar. Me këtë rast, pasditen e djeshme u organizua një pritje në Hotel Tirana në praninë e Ambasadorit të Japonisë me seli në Romë, Hiroyasu Ando, përfaqësuesve diplomatikë rezidentë në vendin tonë, Konsujve të Nderit në Shqipëri dhe zyrtarëve të lartë të administratës publike. Nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, autorizimi përkatës iu dorëzua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Gazmend Turdiu. Gjatë fjalës së tij, Ponari u shpreh se “ne të gjithë jemi në dijeni të mbështetjes së vazhdueshme të Japonisë në fusha si ekonomia, edukimi, shëndetësia etj përmes mbështetjes financiare të projekteve të ndryshme. Në mbështetje të kësaj, ky emërim është jo vetëm një nder por edhe një detyrim i madh dhe unë përfitoj nga rasti t’u them autoriteteve japoneze të pranishme këtu se do të marr përsipër këtë angazhim me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi me të cilin krijova kompaninë që unë drejtoj.” Ndërsa ambasadori Ando uroi dhe falenderoi Ponarin për pranimin e kësaj detyre të re si dhe shprehu bindjen e tij për kontributin që Ponari do të japë në vijimësinë e marrëdhënieve të suksesshme midis Japonisë dhe Shqipërisë dhe përforcimin e mëtejshëm të tyre. Ponari është gjithashtu aksioner te koncensionari “Peugeot” dhe City Park.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›