Mbledhja e taksave, ja cilat s’u realizuan
Fabiola Çela
Bie ritmi i mbledhjes së të ardhurave tatimore. Ministria e Financave ka bërë bilancin e punës së kryer deri në fund të muajit tetor, ku vihen re se disa prej taksave më me peshë në buxhetin e shtetit nuk kanë mundur të mblidhen sipas planit. Mosrealizimi i të ardhu-rave tatimore, ka rënë në sy edhe tek ndërkombëtarët. Pak kohë më parë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaruan se ‘rritja e të ardhurave tatimore është ngadalësuar’. Ndërkohë sipas të dhënave nga financat, edhe pushteti lokal vazhdon të jetë prapa më realizimin e të ardhurave.
Taksat
Totali i të ardhurave deri në fund të muajit tetor rezulton në masën 96.89 për qind. Në këto mosrealizimi më i lartë vihet re tek të ardhurat tatimore, të cilat deri në fund të tetorit janë realizuar në masën 97.69 për qind. Sipas të dhënave nga financat deri në fund të 10-mujorit, të ardhurat tatimore dhe doganore janë realizuar në masën 99.25 për qind. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), është taksa që ka ndikimin më të lartë në arkën e shtetit. Të dhënat nga financat tregojnë se realizimi i kësaj takse është tejkaluar. Por e kundërta ka ndodhur me akcizat si dhe me taksën e tatim-fitimit, mbledhja e të cilave ka qenë më e ulët se parashikimi i bërë në fillim të vitit nga qeveria. Ndërkohë një tjetër taksë, e cila deri në fund të 10-mujorit rezulton të jetë me tejkalim është edhe tatimi mbi të ardhurat personale. Në fakt realizimi i kësaj takse ka nisur të jetë goxha i lartë, që në momentin kur qeveria vendosi që kjo taksë të jetë 10 për qind për të gjitha kategoritë e pagave.
Pushteti lokal
Jo pak herë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave i kanë kërkuar pushtetit lokal, që të marrë masat e duhura për të rritur nivelin e të ardhurave. Por të dhënat nga kjo ministri tregojnë se edhe për 10-mujorin pushteti lokal është sërish prapa me realizimin e të ardhurave. Konkretisht gjatë këtyre muajve realizimi i të ardhurave nga pushteti lokal është 82.97 për qind. Problematike vazhdon të mbetet mbledhja e taksës së tatimit mbi pasurinë, arkëtimi i së cilës është vetëm 58.69 për qind. Ndërsa për sa i përket mbledhjes së taksave nga biznesi i vogël, në këtë pikë pushteti lokal është disi më mirë me planin. Të ardhurat nga biznesi i vogël janë në nivelin e 97.67 për qind.
Investimet
Deri në fund të tetorit realizimi i investimeve është në nivelin e 87.75 për qind. Ministria e Transporteve është ajo që ‘gllabëron’ pjesën më të madhe të parave nga fondi për investime, dhe kjo për vetë numrin e projekteve që ka kjo ministri. Por niveli i realizimit të investimeve shpesh herë është bërë ‘mollë sherri’ mes pozitës dhe opozitës, ku kjo e fundit e ka akuzuar qeverinë për dështim në fushën e realizimit në kohë të projekteve infrastrukturore.
Realizimet për 10-mujorin
96.89 për qind totali i të ardhurave
97.69 për qind të ardhura tatimore
99.25 për qind nga tatimet dhe doganat
102.71 për qind tatimi mbi vlerën e shtuar
97.78 për qind tatim fitimi
91.57 për qind akcizat
103.64 për qind tatimi mbi të ardhurat personale
82.97 për qind pushteti lokal
58.69 për qind tatimi mbi pasurinë
97.67 për qind të ardhurat nga biznesi i vogël
93.51 për qind totali i shpenzimeve
87.75 për qind shpenzime kapitale