E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana pa drita, OSSH: Faji i stuhisë

 

Stuhia e dy netëve më parë është bërë shkak që mëngjesin e djeshëm, shumë zona të Tiranës të gdhihen pa energji elektrike. Sipas burimeve nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, mëngjesin e djeshëm janë konstatuar disa defekte në rrjetin e energjisë dhe kjo si pasojë e stuhisë. Bëhet fjalë për 14 fidra. Si rrjedhojë e këtyre defekteve, paraditen e djeshme nuk ka pasur energji elektrike zona e Sanatoriumit, një pjesë e Saukut, Shkoza, rruga "Qemal Stafa", rruga "Muhamet Gjollesha" etj. Sipas burimeve nga OSSH-ja, dje deri në orët e pasdites ka përfunduar së rregulluari pjesa më e madhe e fidrave të dëmtuar. OSSH-ja ka theksuar se po punohet që të përfundojë riparimi i defekteve edhe në fidrat e tjerë. "Grupet e gatishmërisë po punojnë në të gjitha zonat me defekte dhe po mbikëqyren nga Drejtoria e Përgjithshme e OSSH-së. Aktualisht është vetëm një pjesë prapa Qytetit Studenti për t'u riparuar", kanë deklaruar dje gjatë orëve të mbrëmjes burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Në fakt nuk është hera e parë që stuhitë bëhen shkak për mungesën e energjisë në vend. Por që të tilla defekte rregullohen brenda një kohe të shkurtër. Gjatë këtyre ditëve drejtues të lartë të OSSH-së kanë theksuar se nuk po aplikohet një grafik kufizimesh për konsumatorët, por mungesa e energjisë ka ardhur si pasojë e këtyre defekteve të ndodhura në rrjet, apo si pasojë e remonteve në linjat e tensionit të lartë. Ditët e fundit me uljen e temperaturave është rritur ndjeshëm edhe konsumi i energjisë elektrike. Aktualisht konsumi i energjisë ka arritur në 18 milionë kilovat/orë, ku pjesa më e madhe e kërkesës për energji plotësohet nga prodhimi vendas. Me uljen e temperaturave rritet ndjeshëm edhe konsumi për energji elektrike. Por cilësia e rrjetit elektrik le për të dëshiruar, pasi një pjesë e mirë e tij është e amortizuar dhe për pasojë nuk mund të përballojë këtë konsum të lartë. Me privatizimin e OSSH-së pritet të rriten ndjeshëm edhe investimet në rrjetin elektrik. Kjo do të thotë se do të përmirësohet cilësia e furnizimit me energji për konsumatorët.

Zonat pa energji

    Sanatoriumi
    Sauku
    Dajti
    Shkoza
    Oxhaku
    Rruga "Qemal Stafa"
    Lapraka
    Muhamet Gjollesha
    Zona mes
    "21 Dhjetorit e Zogut të Zi"
    Fusha e aviacionit
    Unaza e re

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›