Prag fushate, Rama dhe Olldashi “në garë” për punët publike
Emanuela Sako
Nxehen gjakrat mes pushtetit vendor dhe qeveritarëve për meritat që kanë në kryerjen e punëve publike. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kanë replikuar në distancë për meritat që ka Bashkia e Tiranës apo Ministria e Transporteve në projektin për rehabilitimin e zonës së Sharrës. Kështu, ndërsa puna për rehabilitimin e Sharrës nisur, Olldashi është shprehur se projekti për përpunimin e plehrave është kompetencë e Ministrisë së Transporteve, e cila bie në kundërshtimin me pretendimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Rama është kundërpërgjigjur se ky është një projekt i Bashkisë së Tiranës që ka zënë fill që në vitin 2002. Sipas Ramës vetëm në 2004 projekti mundi të miratohej nga Kuvendi i Shqipërisë, por puna për rehabilitimin e tij filloi vetëm një vit më parë. Olldashi ka deklaruar nga Sharra, në përfundimin e punimeve për ndërtimin e parcelës së parë që u përurua dje, ku mori pjesë edhe Ambasadori Italian Saba D’Elia, Ministri i Mjedisit Lefter Xhuveli si dhe përfaqësues të tjerë nga Kooperacionit Italian, MPPTT dhe kompanisë që po kryen punimet “ATI”.
Çështja
Ndërsa debati Rama-Olldashi për ndërtimin e parcelës së parë në projektin e venddepozitimit të mbetjeve urbane në Sharrë, sapo ka nisur, vetë ambasadori deklaroi se projekti është financim i qeverisë Italiane dhe ka një vlerë 4.6 milionë Euro. Ndërsa ata që vuajnë për shkak të deklaratave dhe meritave të pushtetarëve janë taksapaguesit, të cilët kërkojnë pastrimin e zonës nga mbetjet urbane dhe zbatimin e projekteve të ndërmarra nga qeveria apo Bashkia. Në të njëjtën kohë, janë ata që paguajnë taksat për mirëmbajtjen e zonave publike dhe punëve që merren nga autoritetet shtetërore.
Projekti
Projekti për Landfillin e Sharrës parashikon pastrimin e të gjithë zonës nga mbeturinat e kryeqytetit. Projekti sapo ka nisur të zbatohet dhe aktualisht ka përfunduar parcela e parë, e cila ka një kapacitet depozitimi deri në 450.000 m3. Ndërkohë që po punohet edhe për drenazhimin e tabanit të parcelës së dytë si dhe për plotësimin e këtij investimi me një impiant pastrimi të ujërave të ndotura që rrjedhin. Për realizimin e kësaj parcele janë kryer këto punime: parcela mbartëse me sipërfaqe 36.000 m2 e mbuluar me gjeomembranë të përshtatshme që të izolojë mbeturinat nga toka me qëllim evitimin e ndotjes së tokës e ujit, punime gërmimi 80.000 m3, drenazhime 11.500 m3, veshje me gjeomembranë 45.000 m2 dhe me gjeotekstil 45.000 m2, hapje rrugësh provizore 1.100 ml, rrethim objekti 800 ml. Njëkohësisht është parashikuar edhe një sistem i veçantë i mbledhjes së ujrave. Për shkak të kësaj ndërhyrjeje në Bashkinë e Tiranës janë depozituar edhe një sasi kompjuterash të nevojshëm për Ndërmarrjen Trajtimit të Mbeturinave në Sharrë si dhe janë duke u kryer kurse trajnimi për personelin administrativ të ndërmarrjes si dhe të stafit teknik të lartë të Bashkisë Tiranë. Landfilli i Sharrës do të ketë një kapacitet dhe rregjim të plotë prej 250.000 tonelatë mbeturinash në vit, duke zgjidhur në mënyrë të ndjeshme problemet e shkaktuara deri tani për qytetin e Tiranës. Projekti është i një rëndësie të veçantë pasi fusha e Sharrës përbën një nga zonat më të ndotura dhe më problematike të vendit tonë, për karakteristikat e problemeve që ajo paraqet si dhe për impaktin e drejtpërdrejtë ambiental.
19 Shtator 2008