Vetëm 4400 shqiptarë, me pensione private
Skema
Në vitin e kaluar, tregu u rrit me 15 për qind, por mbetet minimal
Pesë vite pas krijimit, tregu i skemave private të pensioneve vijon të jetë i papërfillshëm për nga numri i kontribuuesve dhe nga arkëtimet, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të përditësuara, të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Deri në fund të vitit 2009, sipas të dhënave, vetëm 4429 shqiptarë ishin kontribuues në tre skemat e pensioneve suplementare, të cilat menaxhohen nga kompanitë private, shifër kjo që përbën pak më shumë se 1 për qind të numrit total të të punësuarve në sektorin jobujqësor në Shqipëri. Vitin e kaluar u shënua një rritje prej 15 përqindësh në numrin e kontribuuesve kundrejt vitit 2008, kur qenë vetëm 3861 vetë. Kompanitë e pensioneve private patën të ardhura të përgjithshme prej 73 milionë lekësh (rreth 530 mijë euro). Me një nivel të tillë kontributesh, tregu mund të quhet i papërfillshëm.
“Tregu i pensioneve vullnetare mbetet ende një treg i vogël, parë ky si nga këndvështrimi i kontributeve dhe nga numri i kontribuuesve”, thotë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në raportin mbi këtë treg.
çfarë janë
Skemat suplementare private të pensioneve grumbullojnë kontribute nga njerëzit që dëshirojnë të marrin pjesë në to dhe i investojnë këto kontribute në mënyrë që të marrin interesa. Në vendet perëndimore, pensionet private funksionojnë si skema publike kursimi, ku ofrohen fitime shumë të mira në krahasim me skemat publike të pensioneve. Por në rastin e Shqipërisë janë disa faktorë që e bëjnë funksionimin e skemave private të vështirë. Faktori i parë është problemi që skemat e pensioneve private bazohen te monedha kombëtare lek. Por duke qenë se këto skema janë shumë afatgjata, shqiptarët me të drejtë kanë arsye të mos besojnë se leku shqiptar do ta ruajë vlerën aktuale për kaq gjatë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një treg financiar të pazhvilluar. Mungesa e bursës bën që kontributet e mbledhura nga skemat e pensioneve të investohen të gjitha ose në depozita bankare ose në bono thesari të qeverisë. Skema të tilla të thjeshta kursimesh mund të zbatohen nga shqiptarët edhe pa nevojën e kompanive të menaxhimit të pensioneve private.
#