Maqedonia, midis sfidave dhe presionit
Nga Zoran Nikolovski SET
Maqedonia i ka sytë tek hapja e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe NATO-n këtë vit, objektiva që varen nga dy kritere kryesore. Njëri është votimi vendor dhe presidencial, i caktuar për më 22 mars. Tjetri është një zgjidhje për mosmarrëveshjen e vazhdueshme të emrit me Greqinë. Të dyja përbëjnë sfida serioze.
Presioni i zgjedhjeve
BE-ja ka thënë se shansi i Maqedonisë për të filluar bisedimet e pranimit varet shumë nga zgjedhjet e marsit. Zgjedhjet e mëparshme parlamentare, në korrik 2008, u dëmtuan nga dhuna dhe mashtrimi i votave.
"Ne do të bëjmë më të mirën dhe kemi shpresë se do të kemi zgjedhje të rregullta dhe demokratike", - tha Kryeministri Nikola Gruevski muajin e shkuar. "Ne kemi bërë gjithçka në dorën tonë për të krijuar kushte shumë më të mira për organizimin e zgjedhjeve të rregullta e demokratike, që nga zgjedhjet e kaluara".
Lidhur me zgjedhjet presidenciale, të gjitha partitë e mëdha të Maqedonisë kanë njoftuar kandidatët e tyre.
George Ivanov, një profesor në Universitetin e Shkupit, siguroi kandidimin nga VMRO-DPMNE qeverisëse me një votë dërrmuese në konventën e partisë. Partia kryesore e opozitës, SDSM, zgjodhi Ljubomir Fërckovskin, i cili gjithashtu gëzon mbështetjen nga partia më e vogël Social-Demokratët e Rinj.
Partia qeverisëse etnike shqiptare, BDI, kandidoi Agron Budjakun, një ish-ministër i Transportit e Komunikacioneve. Partia shqiptare e opozitës, PDSH, kandidoi Mirushe Hoxhën, një profesore. Ajo dhe e pavarura Slagjana Taseva janë dy kandidatet femra për President këtë vit. Një parti e tretë shqiptare, PDP, kandidoi Nevzat Halilin, ish-kreun e saj.
Demokracia e Re kandidoi kreun e vet, Imer Selmani. Ai shërbeu si një ministër Shëndetësie në koalicionin qeverisës VMRO-DPMNE - DPA nga 2006-a deri më 2008-n. Liberal-Demokratët kandiduan Nano Ruzin, një ish-ambasador në NATO. Kandidati më i diskutueshëm është ish-ministri i Brendshëm, Ljube Boshkovski, i cili kaloi më shumë se tre vjet në paraburgim në Hagë për krime të dyshuara të luftës, përpara se të lirohej. Boshkovski kandidon si i pavarur.
Pavarësisht nga përfundimi i zgjedhjeve, votimi do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Vjeshtën e kaluar, komisioneri i Zgjerimit të BE-së vuri në dukje se Maqedonia ka bërë përparim drejt përmbushjes së tetë kritereve të Kopenhagenit që duhen përpara se të nisin bisedimet e pranimit, por ai tha se "kriteri i nëntë", zgjedhjet e lira dhe të rregullta, duhen përmbushur gjithashtu.
"Në qoftë se këto zgjedhje nuk përputhen krejtësisht me standardet ndërkombëtarë, kam frikë se kjo do të jetë një dështim i madh për vendin dhe do të shtyjë integrimin e tij në BE", - tha javën e shkuar i dërguari i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere.
A i ka ardhur fundi mosmarrëveshjes së emrit?
Një tjetër pengesë kyçe që haset, është grindja 17-vjeçare me Greqinë rreth emrit "Maqedoni".
Mosmarrëveshja është "një çështje që mbetet", - tha Fuere. "Kjo është një çështje më vete nga reformat dhe vlerësimi i Komisionit Evropian është bërë në bazën e reformave".
Ai shtoi se BE-ja e kishte bërë të qartë se grindja me Greqinë duhet të zgjidhet për ta mbajtur në drejtimin e duhur ofertën e Shkupit.
Grindja në vazhdim ka prekur tashmë shanset e vendit për hyrjen në NATO.
"Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht, Republika e Maqedonisë nuk mori një ftesë të pritur për anëtarësimin e plotë. Në raportin e tij vjetor, Komisioni Evropian nuk dha rekomandimin e vet për të filluar negociatat e pranimit me BE-në", - vuri në dukje Presidenti Branko Cërvenkovski.
Një tjetër raund bisedimesh me Athinën pritet më pas këtë muaj. Sipas Cërvenkovskit, megjithatë, ato nuk kanë të ngjarë të jenë të frytshme, për shkak se administrata e Gruevskit tashmë është e preokupuar me padinë e vet kundër Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ankimi i Maqedonisë në gjykatën me seli në Hagë argumenton se Greqia shkeli një marrëveshje të përkohshme të 1995-s midis të dy vendeve, duke bllokuar ofertën e Shkupit për hyrjen në NATO në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit të Aleancës prillin e shkuar. Nën artikullin 11 të marrëveshjes, Greqia zotohej të mos bllokonte përpjekjet e fqinjës së vet për t'u bashkuar me institucionet ndërkombëtare, shumëpalëshe apo rajonale.
Athina, megjithatë, thotë se klauzola është e kushtëzuar nga përdorimi i emrit Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë (FYROM). Marrëveshja e vitit 1995 posaçërisht i dha Greqisë të drejtën të kundërshtojë, po qe se përdorej një tjetër emër, vënë në dukje diplomatët grekë, duke shtuar se Maqedonia vetë shkeli disa klauzola të marrëveshjes.
Gruevski thotë se pret që i dërguari i OKB-së, Metju Nimetz, i cili ndërmjetëson mosmarrëveshjen, të dalë me më shumë propozime së shpejti. Megjithatë, të dy palët duken të ngulitur në pozicionet e tyre, dhe jo në qejf për të bërë kompromis.
Vështirësitë ekonomike
Në frontin ekonomik, vendi ka gjithashtu synime për vitin e ri. Qeveria po merr masa të minimizojë ndikimin e krizës ekonomike globale. Gjithashtu, në front është veprimi për të ulur nivelet e papunësisë, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta (FDI) dhe rritjen e standardeve jetësore.
Përpara se të rrëzohej sistemi global financiar, Maqedonia kishte lajme të mira ekonomike. Në 2007-n, vendi pa një rritje prej 5.9%, inflacioni mbeti i ulët, papunësia kishte rënë dhe FDI-ja arriti një nivel rekord prej 506 milionë eurosh, një rritje 47% nga viti i kaluar.
Në gjysmën e parë të 2008-s, rritja ekonomike ishte 6% dhe inflacioni ra në 5.1% në nëntor.
Më pas, gjatë vitit, qeveria ndërmori dhjetë masa për të mbrojtur ekonominë nga pështjellimi financiar botëror. Për vitin 2009, qeveria ka në plan investime të kapitalit me rreth 500 milionë euro ose 7% të GDP-së, një rritje me 14% që nga 2008-a. Janë planifikuar gjithashtu përmirësimi i rrugëve dhe infrastrukturës së hekurudhave, si dhe investime në sektorin energjitik.
Presidentit Cërvenkovski, megjithatë, këto nuk i bëjnë përshtypje. Në fjalimin e tij në Parlament ai sulmoi atë që e përshkroi si parashikim tejet rozë i administratës. "Një gabim që nuk duhet t'ia lejojmë vetes dhe mund të na kushtojë mjaft është të nxjerrim përfundime të gabuara dhe mbi bazën e tyre të përcaktojmë përparësi e koncepte politike të gabuara. Kriza globale nuk është një shans, por një kërcënim për ekonominë tonë", - tha Presidenti.
Opozita dhe disa ekspertë të pavarur kanë kritikuar administratën e Gruevskit për nivelet e saj të lartë të konsumit publik. Maqedonia po përjeton një buxhet rekord prej 2.7 miliardë eurosh këtë vit, katër herë më të lartë se dhjetë vjet më parë dhe 50% më shumë se buxheti i vitit të kaluar.
Cërvenkovski paralajmëron për rënien e prodhimit në sektorë kyçë të tillë si ai metalurgjik, një rënie në eksportet dhe deficitë rekord të tregtisë.
Sipas ekspertëve, sektori i metalurgjisë në Maqedoni do të shohë një pritje për në rënie më 2009, ashtu si dhe eksportet. Megjithatë, treguesit e bursës nuk priten të rriten dhe ka frikë për pushim nga puna të punëtorëve.
Megjithatë, Gruevski dhe kabineti i tij mbeten të patrembur. Në qoftë se vetëm morali mund të përcaktonte të ardhmen, vendi do të ishte në një pozitë të fortë, pasi administrata ka energji e optimizëm. Por a do të jetë shpirti i lartë i mjaftueshëm për të nxjerrë Maqedoninë nga kohërat e vështira? Punë e madhe gjendet përpara. Gjatë vitit 2009, Kryeministri rinor dhe këshilltarët e tij do të kenë mundësi të gjera për të treguar nëse ata janë të aftë për të kryer punën e tyre.