E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet predhë topi në kanalin e autostradës

12/02/2009  Policia mendon se do të trafikohej, por është fshehur nga frika e postbllokut

DURRES- Është gjetur një predhë topi në një nga kanalet që shkon paralel me autostradën Durrës-Tiranë nga disa fëmijë të lagjes numër 14 të Durrësit. Lajmi është konfirmuar edhe nga burimet policore të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Durrësit që kanë bërë me dije se predha e topit është parë nga dy fëmijë që banojnë në NISH Tulla. Municioni luftarak sipas ekspertëve të xhenios i përket Luftës së Dytë Botërore dhe se ka përfunduar në anë të kanalit nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë pasur si synim ta tregtonin për skrap. Predha është e gjatë 110 cm dhe peshon 120 kg. Specialistët e policisë dhe ata të ushtrisë kanë transportuar për në poligonin e asgjësimit predhën 60-vjeçare për ta çaktivizuar. Nga hetimet paraprake mendohet se predha duhet të ketë qenë duke u transportuar nga periferi për në pikat e grumbullimit të skrapit, por ka të ngjarë që transportuesit të kenë ndërruar mendje në kohën që kanë parë postbllokun e policisë në rrugë. Ata kanë gjetur rrugën më të lehtë duke e hedhur në kanal predhën e topit me mendimin se do ta merrnin në një kohë të përshtatshme. Por një ditë më parë dy fëmijë që kanë përshkuar kanalin nga mbikalimi në Shkozet drejt Durrësit në anën e majtë të autostradës kanë zbuluar predhën. Ata kanë vënë në dijeni familjarët dhe këta të fundit policinë. Më pas kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje ku ka bërë dhe ekspertizën e nevojshme. Pista e parë e hedhjes së këtij municioni është trafikimi, por ende policia nuk ka mundur të identifikojë autorët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›