E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka kërkon shkarkimin e drejtorit të QSUT

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i kërkon Kryeministrit Berisha shkarkimin e drejtorit të QSUT-së, Mati Pepa.

Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se, dje rreth mesditës në zyrën e Kryeministrit Berisha ka mbërritur një letër e kreut të Shëndetësisë, në të cilën kërkohet pikërisht largimi nga detyra e drejtorit Pepa. Megjithëse kjo është një kompetencë e vetë ministrit, bëhet e ditur se Ndoka ka dashur të marrë paraprakisht edhe OK e kryeministrit për të shkarkuar nga detyra drejtorin e njërës prej qendrave më të mëdha spitalore në vend. Sipas burimeve, bëhet e ditur se ministri Ndoka ka kërkuar largimin e drejtorit pas konflikteve të vazhdueshme me profesoratin e Fakultetit të Mjekësisë dhe shefat e pavioneve. Në të njëjtën kohë, një tjetër arsye që ka detyruar kreun e Shëndetësisë të kërkojë largimin e Pepës është edhe mungesa e performancës, paaftësia në menaxhimin e investimeve dhe paaftësia administrative. Në letër thuhet gjithashtu se ministri i Shëndetësisë është i angazhuar për ta shndërruar Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në një nga më të mirat në Ballkan, por, sipas tij, drejtori aktual me paaftësinë e tij u bë pengesë qoftë për kryerjen e reformave të domosdoshme, qoftë për menaxhimin e fondeve të akorduara nga qeveria shqiptare për këtë qendër spitalore. Por përtej këtyre argumenteve zyrtare, në këtë kërkesë të Ndokës për Kryeministrin Berisha ka edhe arsye politike. Mati Pepa u emërua drejtor i QSUT-së pasi Ndoka mori Ministrinë e Shëndetësisë, falë një marrëveshje të PD-së me PDK-s. Por së fundi Pepa u pozicionua kundër Ndokës dhe pak ditë më parë u pa në krah të Zef Bushatit dhe Anton Gurakuqit në një mbledhje kryesie të PDK-së, e cila kërkoi mosnjohjen e Ndokës si kryetar të kësaj partie. Ndërkohë që për Bushatin dhe Gurakuqin pritet të ketë një takim mes Ndokës dhe Berishës për drejtorin e QSUT-të, ministri i Shëndetësisë e ka parë të udhës të njoftojë paraprakisht kreun e qeverisë përpara se ta shkarkojë.   a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›