Hetim serioz parlamentar për zgjedhjet
Presioni ndërkombëtar për krizën politike orientohet drejt shumicës në pushtet. Një mesazh i mirëfilltë politik, që në kontekstin e brendshëm përkthehet si mbështetje për të majtën socialiste ka mbërritur dje nga eurodeputetët e Grupit Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, zëdhënësja e të cilit ka kërkuar nisjen e një “hetimi serioz” të zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Unë pres që qeveria shqiptare të nisë menjëherë një hetim serioz mbi manipulimet e zgjedhjeve të qershorit 2009...”, thuhet në deklaratën e Marietje Schaake, cituar sipas zyrës së shtypit të PS. Nuk kalon pa rënë në sy në këtë qëndrim edhe përdorimi i një gjuhe presioni mbi qeverinë, ndaj së cilës Liberalët kanë aluduar për implikime efektive lidhur me procesin e heqjes së regjimit të vizave. “Grupi ynë mbështet nevojën për të përfshirë Bosnjën dhe Shqipërinë e trajektoren e liberalizimit të vizave”, nis deklarimin e vet, Schaake, duke bërë të qartë se mbështetja ndaj Shqipërisë për këtë çështje kalon nga respektimi i disa standardeve që së fundmi po vihen në dyshim. Iniciativa e liberalëve do të plotësohet me veprime konkrete teksa bëhet e ditur se Marietje Schaake do të krijojë një delegacion ad hoc në emër të grupit parlamentar liberal dhe do të kërkojë të vizitojë Shqipërinë përpara përfundimit të sesionit të verës.
#