Komisioneri i zgjerimit, Fule, nis vizitën në Ballkan
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, do të fillojë vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor ditën e mërkurë. Ai do të kryejë takime në Serbi, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë. Në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, Fule tha se ai do të punojë fort për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të shtuar përpjekjet për afrimin e tyre me Bashkimin Europian. “Procesi i asocimit u jep këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor një mbështetje të fuqishme për implementimin e reformave ekonomike dhe politike. Duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të promovuar progresin në Serbi”, tha ai. Fule do të vizitojë Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi të mërkurën ndërsa do të jetë në Shqipëri dhe Kosovë ditën e premte. Thuhet se Fule do të japë tre mesazhe të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Së pari, mbështetja e fortë për perspektivën europiane të secilit prej këtyre vendeve. Së dyti, Fule do të bëjë një apel për forcimin e shtetit ligjor dhe bashkëpunimin ndër-rajonal në kuadër të konsolidimit të fqinjësisë së mirë. Liderët e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të prezantojnë progresin e bërë, përpara komisionerit të ri për zgjerimin. Fule tha për “Blic” se “Serbia ka bërë një progres surprizues” në muajt e fundit me përpjekjet e saj në kuadër të procesit të integrimit europian, por mbetet ende punë për konsolidimin e shtetit ligjor, një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë. Vizita e Fule në Malin e Zi do të përqendrohet te forcimi i ligjit dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, liberalizimi i vizave do të jetë tema kryesore e diskutimeve në Tiranë.
#