E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim zyrtarëve

Banorët e zonës pretendojnë se nëpërmjet zyrave të shtetit u është marrë më shumë se 30 mijë metra katrorë tokë, kryesisht në zonën bregdetare

TIRANË - Abuzimet me mbivendosjen e pronave, kryesisht në bregdetin e vendit, shtojnë kallëzimet penale në Prokurorinë e Tiranës. Pak ditë më parë, në njësinë “Task Forcë” ka mbërritur një kallëzim nga banorë të zonës së Kavajës, të cilët pretendojnë se njerëz të rëndësishëm u kanë marrë atyre sipërfaqe të konsiderueshme toke, duke falsifikuar dokumente nëpërmjet Komisionit të Kthimit të Pronave dhe zyrave të Hipotekës. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime të rezervuara pranë organit qendror të akuzës, të cilat thonë se tashmë është regjistruar një procedim penal me objekt abuzimet me pronat jo vetëm në bregdetin e Golemit, por edhe në pjesën pranë zonave të banuara. Sipas burimeve, mësohet se një grup banorësh të zonës përreth, të cilët kanë dokumente të rregullta që vërtetojnë pronësinë e tokës, pretendojnë se u është marrë në mënyrë të padrejtë një sipërfaqe prej rreth 30 mijë metrash katrorë tokë, kryesisht në zonën bregdetare dhe në pjesën pranë bregdetin. Për grabitjen e tokës ata akuzojnë njerëz të rëndësishëm, të cilët duke përdorur pozitat e tyre, kanë bërë të mundur përvetësimin e pronës, duke realizuar edhe zëvendësimin e pronarëve të vërtetë me pronarë fiktivë.

Kallëzimi i radhës që denoncon abuzimet me pronat është marrë nga njësia e përbashkët hetimore “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, pasi dyshohet se në këtë aferë janë përfshirë zyrtarë të ndryshëm, qoftë të Komisionit të Kthimit të Pronave, apo edhe të Hipotekës. Fillimisht kallëzimi penal është kryer nga një banor i zonës, i cili pretendon se ka edhe sipërfaqen më të madhe të tokës të rrëmbyer pa të drejtë, i cili është pasuar edhe nga disa padi të tjera që ngrenë të njëjtin shqetësim. Tashmë grupi hetimor i njësisë “Task Forcë” ka kryer disa veprime hetimore, duke sekuestruar një sërë dokumentesh shkresore, si dhe ka administruar në cilësinë e provës dokumentet që disponojnë denoncuesit e abuzimit, i cili sipas hetuesve mund të marrë përmasa të frikshme, duke kaluar edhe skandalin e pronave në Kashar. Një konstatim i tillë, sipas akuzës, vjen nga numri i zyrtarëve që dyshohet se janë përfshirë në këtë histori, që nuk është e vetmja që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Nga moria e abuzimeve me pronat që dyshohet se janë bërë kryesisht në bregdetin shqiptar, aktualisht Prokuroria e Tiranës ka nën hetim disa çështje. Bëhet fjalë për disa dosje abuzimesh që janë mbledhur kohët e fundit në njësinë “Task Forcë” në prokurori, strukturë kjo që heton korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve.

Dosjet që mesa duket janë marrë shumë seriozisht nga prokuroria, kanë si objekt hetimi abuzimet e shumta që dyshohet se janë kryer në zonën bregdetare, kryesisht në zonën Velipojë-Durrës, por edhe në zona të tjera tepër të preferuara për ndërtim. Skandalin e abuzimeve me mbivendosjen e pronave e nisi hetimi i çështjes “Kashari”, që përfundoi me arrestimin e 10 zyrtarëve, mes të cilëve edhe tre ish-krerët e komunës ndër vite. Gjithashtu abuzime janë vërejtur edhe në zona të tjera të kryeqytetit, kryesisht në komunën e Dajtit dhe atë Farkës, ku dyshohet se mbivendosja e pronave kap sipërfaqe të konsiderueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›