E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtoni jetimet!

Historia e dy motrave të dhunuara nga babai nën ndikimin e njerkës. Më të madhen e martoi me një trafikant femrash Xhaxhai me 6 fëmijë merr në shtëpinë e tij edhe dy mbesat e rrezikuara nga vëllai, të cilin e paditi në polici dhe gjykatë

Ato nuk janë vajzat e mbretit dhe as nuk quhen Borëbardha, por historia e tyre është pothuajse e njëjtë me atë të personazhit të përrallës së njohur. Por nëse vajzës së mbretit në përrallë i erdhën në ndihmë xhuxhat, dy motrave të mitura u është gjendur pranë xhaxhai i tyre, i cili jo vetëm i ka mbrojtur nga abuzimi i të atit dhe njerkës, por i ka marrë përfundimisht në shtëpinë e tij, ku tani do t’i rrisë së bashku edhe me 6 fëmijë e tjerë të tij. Për çdo njeri vdekja e nënës është nga momentet më të dhimbshme në jetë. Por për dy motrat, Gerta dhe Anxhelina K., përkatësisht 15 dhe 8 vjeç, ky ka qenë vetëm fillimi i një historie mjaft të dhimbshme abuzimi dhe keqtrajtimi, që është zhvilluar në një fshat të komunës Maqellarë të Dibrës, ku familja e tyre jetonte.

Rasti është i njohur edhe nga specialistët e Seksionit të Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët kanë marrë të parët denoncimin e bërë nga Elmaz K. për vëllanë e tij. Më pas çështja i ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur në mesin e muajit tetor masën e mbrojtjes për të dy vajzat e mitura, çka duket se ka qenë edhe momenti më i lumtur për to, pasi kanë shpëtuar nga një situatë mjaft e vështirë.

Historia

Vetëm tre muaj pasi bashkëshortja e tij, Gurie, ka dhënë shpirt në vitin 2000, Petriti është martuar sërish, kësaj radhe me Manushaqen. Në vendimin e gjykatës është sqaruar se ai edhe më parë i kishte keqtrajtuar vajzat e tij, por veçanërisht me ardhjen e njerkës në shtëpi dhuna fizike dhe psikologjike është shtuar ndjeshëm. Babai alkoolist mjaftohej edhe nga një fjalë e gruas së tij të re, për t’ua hyrë në dru vajzave të tij, veçanërisht Gertës, që ishte më e madhja. Në disa raste vajzës i janë shkaktuar hematoma në trup, për shkak të rrahjeve, ndërsa është fyer dhe poshtëruar me një fjalor shumë të ulët. Në prill të këtij viti, Petriti e ka shfryrë zemërimin e një zënke me gruan e tij tek vajzat, të cilat i ka nxjerrë nga shtëpia dhe i ka lënë gjithë natën jashtë në rrugë. Pas kësaj ngjarjeje ai bindet të heqë dorë përfundimisht prej tyre dhe i sjell në Tiranë tek i vëllai, të cilit i thotë t’i mbajë, pasi nuk dëshironte që të kujdesej më për to. E pikërisht kur vajzat menduan se e keqja kishte kaluar dhe po jetonin të qeta në shtëpinë e xhaxhait, një tjetër trill i mendjes së sëmurë të të atit dhe njerkës tenton t’ua nxijë jetën.

Martesa

Në mesin e muajit korrik të këtij viti, Petriti dhe gruaja e tij kujtohen sërish për vajzat që kishin lënë në Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, ata, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi vajzën e madhe, vetëm 15 vjeçe, e kanë kërcënuar e detyruar që të martohej me një person të cilin ajo nuk e njihte. Ky person, i cili nuk jetonte në Shqipëri, ishte djali i vëllait të njerkës. Por më e tmerrshmja ishte se vetë vëllai i njerkës sapo kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për trafikim femrash jashtë shtetit. Gerta detyrohet të jetojë në shtëpinë e bashkëshortit që i kishte gjetur babai.

Për fat të mirë familja e babait të vajzave nuk i ka lënë ato në mëshirë të trilleve të çiftit. Djali hallës së tyre i merr me forcë të dyja vajzat dhe i dërgon fillimisht në shtëpinë e nënës së tij e më pas në Tiranë, sërish në shtëpinë e xhaxhait. Ky i fundit kupton se kupa është mbushur dhe vendos t’i drejtohet policisë së Tiranës. Specialistët e Seksionit të Dhunës në Familje i marrin fillimisht në mbrojtje vajzat dhe madje u ofrojnë atyre edhe ndihmën e një psikologu.

Gjyqi

Që prej momentit që vajzat janë shkëputur përfundimisht nga babai i tyre, familja e xhaxhait ka marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese nga Petriti. Atëherë Elmazi kërkon nga gjykata mbrojtje për familjen e tij dhe për mbesat. Gjykata pasi shqyrtoi të gjithë faktet dhe argumentet e paraqitura, vendosi që të ndalojë Petrit dhe Manushaqe K. jo vetëm që të mos kërcënojnë apo të kryejnë ndonjë vepër dhune ndaj familjes së Elmaz K. dhe dy vajzave, Gerta e Anxhelina, por as të mos kontaktojnë fare me ta, madje as të mos u afrohen më shumë se 500 metra distancë. Çdo shkelje e këtij urdhri të gjykatës do t’i dërgonte menjëherë pas hekurave të burgut çiftin abuzues.

Tashmë dy vajzat jetime do të kenë mundësinë të jetojnë dhe të rriten më të qeta, në një familje të re, më të madhe, e pse jo edhe më të ngrohtë. Xhaxhai i tyre ndoshta do të provojë më shumë vështirësi në rritjen e 8 fëmijëve, por gjithsesi do të ketë për gjithë jetën mirënjohjen dhe dashurinë e mbesave, të cilave iu gjend në momentin e tyre me të vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›