E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB-ja në lëvizje

TIRANË - Skandali i policisë së Sarandës, ku një i ri humbi ndjenjat në sallën e gjyqit si pasojë e trajtimit çnjerëzor, tashmë po hetohet nga oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë se menjëherë pas denoncimit të ngjarjes së rëndë, drejt Komisariatit të Sarandës është nisur një grup i posaçëm hetimi, i përbërë nga agjentë dhe oficerë të SHKB-së. Njerëzit që vendosin rregull brenda radhëve të policisë tashmë kanë përqendruar hetimet e tyre mbi tre oficerë policie të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Komisariatin e Policisë Sarandë. Burimet të cilat u treguan tepër të rezervuara në dhënien e informacionit, thanë se grupi i hetimit të SHKB-së tashmë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale procesverbalet e shoqërimit të 18-vjeçarit Aristil Gllucaj dhe shokut të tij, Oltion Varfit, të cilët akuzohen nga policia e qytetit bregdetar për trafik klandestinësh. Gjithashtu, agjentët dhe oficerët e SHKB-së kanë marrë në pyetje edhe tre oficerët, që mesa duket janë bërë tepër problematikë me veprimet e tyre abuzive, pasi edhe më parë kanë pasur probleme të ngjashme. Gjatë marrjes në pyetje, të dyshuarit kanë mbajtur qëndrim mohues, duke deklaruar se nuk kanë ushtruar dhunë mbi të riun, i cili ndodhet ende në repartin e reanimacionin e spitalit të Sarandës. Një burim pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme tha se tre oficerët e antitrafiqeve kanë abuzuar me detyrën edhe herë të tjera, veprime për të cilat janë ndëshkuar me masa administrative. Duke iu referuar rastit konkret dhe masës së ndëshkimit ndaj uniformave blu në rast se ata dalin përgjegjës për ngjarjen e rëndë, një përfundim i hetimit për ngjarjen që cilësohet tepër e rëndë pritet të dalë në ditët e para të javës. Në varësi të fakteve do të vendoset edhe për fatin e tre oficerëve të antitrafiqeve, të cilët tashmë janë të skeduar nga SHKB-ja edhe për një sërë ngjarjesh të tjera të paligjshme, ku dyshohet se janë implikuar. Mësohet se për dhunën e pashembullt të ushtruar ndaj 18-vjeçarit po heton edhe Avokati i Popullit, i cili brenda kësaj jave pritet të japë një konkluzion për atë që ndodhi në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Sarandës. Tri ditë më parë televizionet transmetuan pamje ku dalloheshin fare qartë dy uniforma blu, të cilat nxorën nga spitali i Sarandës 18-vjeçarin Aristil Gllucaj, i cili ndodhej në gjendje të rëndë nga dhuna e ushtruar gjatë ndalimit të tij. Por situata merr përmasa më tragjike, kur i riu bie pa ndjenja në sallën e gjyqit, gjatë seancës kur gjykata e Sarandës do të jepte masën e sigurisë ndaj tij me akuzën e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Kjo ngjarje alarmoi familjarët e të riut vlonjat, të cilët vunë në lëvizje strukturën e Avokatit të Popullit, i cili çoi një grup të posaçëm për të hetuar mbi ngjarjen e rëndë. Aristil Gllucaj dhe Oltion Varfi, të cilët sipas gjykatës duhet të qëndrojnë në burg për një muaj, u kapën pak ditë më parë në autobusin e linjës  Sarandë - Qafë-Botë, teksa shoqëronin pesë klandestinë, të cilët sipas prokurorisë kishin si destinacion tokën e vendit fqinj. Ndërsa familjarët e 18-vjeçarit Gllucaj hodhën poshtë versionin e prokurorisë, duke deklaruar se djali i tyre ishte nisur si emigrant drejt Greqisë për arsye ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›