E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetime për doganierin e pezulluar, arrestohet “pronari” kosovar

07/06/2005  Për 169 celularë të pazhdoganuar

DURRES - Shmangia nga detyrimi doganor ka vënë para akuzës për ushtrim kontrabande si dhe favorizim të kontrabandës, një shtetas nga Kosova si dhe doganierin e shërbimit në doganën e Durrësit. Komisariati i policisë së portit, ka bërë të ditur se kosovari nga komuna e Istogut është arrestuar ndërsa doganieri është pezulluar nga puna për t’u ndjekur në gjendje të lirë.

Sipas policisë mësohet se malli i sekuestruar, pjesa më e madhe ishin celularë e aksesor për tregun kosovarë, ishte mbuluar nga rroba të përdorura.

Arrestimi i kosovarit është bërë rreth mesnatës midis të hënës e të martës, në kohën që makina me targa të huaja kishte lënë portin e Durrësit.

Malli

Policia ka mundur të sekuestrojë në dalje të portit të Durrësit 169 telefona celularë, aksesor të tyre, veshmbathje dhe mallra kozmetike të gjitha në automjetyin me targa ZH 220792, e cila më pas rezultoi se i përkiste shtetasit kosovarë, me leje të rregullt qëndrimi në Zvicër.

Burimet policore thonë se Shemsi Kameraj i lindur në Gjyrakovsk të komunës së Istogut, Kosovë, ka hyrë në portin e Durrësit së bashku me automjetin e tij rreth orës 18.30 të së dielës.

Ndërkohë që dokumentacioni i tij ka rezultuar i rregullt si dhe i personave të familjes, me të cilët udhëtonte për në Kosovë, makina nuk i është nënshtruar kontrollit nga doganierët e shërbimit.

Policia ka pohuar se doganieri, i cili detyrohej të dokumentonte mallin në autoveturën tip “Opel”, pronë e kosovarit Kameraj, e ka lejuar të kalojë sheshin e trageteve.

Kontrolli

Veprimi duket se ka qenë nën përgjimin e shërbimit të brendshëm, të cilët, pasi kanë konstatuar shmangien nga detyrimi doganor i mallit në autoveturën e 45-vjeçarit, e kanë mbajtur nën vëzhgim mjetin, derisa janë bindur se malli në automjet do të dilte pa derdhur detyrimet. Për shkak të fluksit të madh të udhëtarëve dhe veçanërisht numrit të madh të mjeteve përpunimi ka përfunduar rreth dy orë pasi trageti ishte ankoruar në sheshin e trageteve. Shërbimet e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar dhe ata të antikontrabandës janë aktivizuar menjëherë pas sinjalizimit dhe një pjesë e tyre kanë dalë jashtë portit për të pritur makinën me targa të huaja.

Rreth orës 21.30 makina ka lënë sheshin e trageteve dhe i është drejtuar pikës dalëse të portit të Durrësit, pikërisht asaj pranë Urës së Dajlanit. Antikontrabanda bëhet e ditur se ka ndaluar automjetin vetëm pak përtej traut të policisë dhe i ka kërkuar shtetasit nga Kosova të deklarojë mallin e importuar. Policia ka pohuar se Kameraj nuk ka refuzuar, ndërkohë që në automjet janë sekuestruar 169 telefona celularë të markës “Nokia”, “Siemens”, “Sony”, “Erikson”, “Motorola”, sasi e madhe aksesorësh, materiale

kozmetike dhe rroba veshmbathje të gjitha të destinuara për tregun kosovarë.

Doganieri

Në kohën që Kameraj ka pohuar se nuk kishte zhdoganuar mallin grupi i gatshëm i policisë së portit e ka shoqëruar me dhomat e ndalimit, ndërkohë që pas këtij veprimi janë hedhur dyshime rreth mundësisë së komprometimit të doganierit të shërbimit. Për këtë veprim policia ka ndaluar doganierin Namik Blaceri.

Sipas policies, Blaceri ka qenë me shërbim në kohën kur kosovari ka hyrë në sheshin e trageteve, ndërsa mësohet se mes tij dhe transportuesit të mallit është rënë në ujdi për të kaluar mallin në mënyrë ilegale.

Shmangia nga detyrimi doganor ka vënë para përgjegjësisë të dy të akuzuarit, ndërkohë që doganieri Blaceri është lënë në gjendje të lirë deri sa prokuroria të plotësojë dosjen.

Nga ana tjetër burimet thonë se doganieri është larguar nga puna në pritje të një përgjigje, ndërkohë që burime nga dogana kanë thënë se doganieri nuk kishte dijeni për një veprim të tillë. Blaceri është vendosur para dyshimeve në përfshirjen për përfitime të jashëligjshme dhe shërdorim detyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›