Korrupsioni elektoral
07/06/2005 Peizazhi politik paraelektoral flet për një strukturë të pazakontë të subjekteve politike, që në horizontin elektoral duket sikur do ketë miqësi, paqe e garë të qetë, larg konflikteve të personazheve që konkurrojnë. Klima paqësore, që ka nisur midis konkurruesve në zonat elektorale, të dy liderëve kryesorë, socialist dhe demokrat, tingëllon disi artificiale, si një gjest butaforik, me norma morale jo të vullnetshme. Nga prezantimet e tyre në median elektronike dhe atë të shkruar, jepen mesazhe për një etikë të shanseve të barabarta. Oferta e dy rivalëve për t’u përballur me figurat më karizmatike të së majtës dhe së djathtës në pamjen e parë duket se ka ardhur natyrshëm. Nga pohimet e tyre prezantohen disi eklektik, që kanë patur oferta nga të dy krahët. Njëri ka përfunduar në rrjetën e së majtës dhe tjetri në të djathtës si rezultat i klimës që iu është krijuar. Shumë mirë mund t’i këmbenin karriget me njëri- tjetrin. Në intervistat e tyre, ata u paraqiten me një ambicje qytetare, që investohen në politikë për interesa të elektoratit dhe jo për egoizëm privat. Nuk munguan edhe elozhet nga të dy palët që u adresonin rivalëve të tyre saqë të dukesh sikur bënin propagandë disi të dyshimtë. Të mendosh se ky do jet ritmi linear i fushatës, ku garojnë figurat kryesore të dy kampeve, pozitë–opozitë është logjikë irracionale. Edhe në vendet me demokraci të zhvilluar rrallë ndesh konsiderata të tilla etike. Pretendimet për një transparencë etike para elektoratit e bëjnë më të prekshme politikën publike. Marrëdhëniet liberale të konkurruesve shihen në këndvështrime të ndryshme. Standardet e mënyrës së sjelljes flasin për vlerat themelore të politikanëve të ndershëm dhe të hapur. Njerëzit që pretendojnë të futen në politikë duhet të kenë një tërësi gjithëpërfshirëse vlerash morale dhe një sistem specifik të dallueshëm të përgjegjshmërisë. Kandidatët për deputetë po paraqiten para elektoratit me një etikë të balancuar e të kujdesshme të vlerave konkurruese. Pabarazia sociale dhe ekonomike e kandidatëve krijojnë terren për korrupsion të elektoratit. Tendenca e shumë subjekteve partiake, për të thithur dhe futur në garë biznesmenë të fuqishëm, krijojnë terren të favorshëm për korrupsionin e elektoratit. Përballja e dy kandidatëve me liderët e dy partive më të mëdha është në kushte të pabarabarta. Pa folur për klasën politike, reputacionin shoqëror, rrethanat dhe privilegjet që sigurojnë nga të qenët lider, ata kanë edhe të ardhura në nivele të pakrahueshme. Në sfondin e konkurrencës, diferencimet janë tepër të dukshme. Po të bëjmë analogji me mundjen apo boksin kur futen në ring, ata peshohen dhe janë në standarde të barabarta. Superioriteti dhe inferioriteti kanë ndikime që cënojnë moralin e individit. Elektorati kur përballet me kandidatët, priret më shumë nga më i forti, nga ai që ka më shumë kredibilitet e mundësi të ndihmoj brenda interesave vetiake. Sigurisht që mundësitë materiale dhe morale janë në favor të liderëve që përbëjnë një privilegj që i mbishtreson nga partnerët e tyre. Mjedisi politik mbingarkohet me valenca komprometuese, që gjenerojnë elemente të papërshtatshëm për elektoratin. Eshtë futur në modë që në fushatat elektorale krahas premtimeve verbale ka edhe oferta materiale. Krenaria e klasës së pasur është më joshëse se shtresat e inteligjencës. Nuk ka një shpërndarje uniforme të vlerave morale të grupeve me pasuri materiale dhe atyre me pasuri intelektuale. Kandidatët biznesmenë e prishin atmosferën elektorale, duke përdorur ndihma për njerëzit në nëvojë, duke shpërndarë para ose shpërblime të tjera materiale. Ndërsa intelektualët garojnë me libra e ide progresive, që e çojnë shoqërinë përpara. Në vlerat e vetëbesimit të gjithë kandidatët mbeten të pasigurt në planin personal dhe përpiqen të afirmojnë përparësitë dhe avantazhet që i rrethojnë. Elektorati, papajtushmërinë e sjelljes morale të kandidatit me veprimet e tij, duhet t’i diferencoj dhe denoncoj brenda realitetit intuitive që ka. Kjo ka të bëjë edhe me shkallën e ndërgjegjes dhe moralin që përfaqëson një elektorat i caktuar. Niveli arsimor, kulturor, social-ekonomik dhe tradicional i elektoratit e bën atë që të diferencohet në zona dhe krahina të ndryshme. Në zonat e varfra rurale, ai është i prirur për t’u komprometuar me një minimum shpërblimesh na natyrë ose në lekë. Psikologjia dhe botëkuptimi i zonave veriore, me ato jugore kanë dallime të dukshme. Ky fenomen diferencohet edhe midis qyteteve të zhvilluara, mesatarisht të zhvilluara dhe të prapambetura. Korrupsioni elektoral është i natyrave dhe përmasave të ndryshme. Raporti i përgjegjësisë është i dyfishtë. Kandidati për deputet duhet të karakterizohet nga një nivel i caktuar ndershmërie, qëndrueshmërie, koherence dhe reciprociteti. Formimi i diferencuar politik, social dhe arsimor bën që individ të ndryshëm ta perceptojnë garën elektorale, në mënyra krejt të ndryshme. Ka ardhur koha që elektorati i sotëm duhet të përzgjedhë individë me figurë qytetare të pacënuar, krejtësisht të pastër. Nuk duhet të shpërfillin faktin që individë të ndryshëm sjellin me vete një tërësi vlerash, që reflektojnë shkallën relative të personalitetit të tyre. Po të arrijmë që të ekuilibrojmë dhe preferencat konkurruese të individëve në nivelin mesatar të elektoratit, atëherë zvogëlohet mundësia e korrupsionit. Konteksi unik i çdo dileme etike kërkon që individët në veçanti dhe komuniteti në tërësi të kenë si kapacitetin moral e intelektual dhe aftësinë operative për balancimin e imperativave konkurruese me qëllim arrijen e sjelljes etike brenda parametrave të demokracive të zhvilluara.