Na fal ndonjë votë zotni…
07/06/2005 1.Në çdo prag fushate, ëndrrat parlamentare u kanë prishur gjumin rreth dy deri treqind politikanëve qendrorë e lokalë. Duke përjashtuar kandidatët e dy partive të mëdha dhe numrat e parë të listave të partive lilipute, të paktë ishin ata që mund të bënin plane reale për t’u ulur në kolltukët parlamentarë. Në pragzgjedhjet e këtij viti, situata ndryshoi kryekëput. Përveç dyqind demokratëve dhe socialistëve, janë edhe dyqind kandidatët e LSI-së dhe LZHK-së që besojnë në fitore. Lista nuk përfundon me kaq. Fushata ka ngacmuar keqaz fantazinë elektorale të kandidatëve socialdemokratë dhe demosocialë, agrarë dhe aleancistë. Nga e djathta janë demokratët e rinj dhe republikanët, ballistët dhe liberaldemokratët. Pjesa më e madhe e kandidatëve të këtyre partive parazite e gjykojnë veten potencialisht deputetë, si rezultat i një kombinimi të strategjisë së Dushkut me strategjinë e listave të hapura.
2.Në një votim të ndershëm, asnjë prej partive të vogla nuk ka garanci në kalimin e ylberit elektoral prej dy pikë pesë për qind. Mega-Dushku mund të “bëjë kismet” pesë deri dhjetë për qind të votave për secilën prej tyre, çka në kushte normale do të garantonte shtatë deri në pesëmbëdhjetë deputetë. Në kushtet e inflacionit të votës, që do të pasojë Mega-Dushkun, numri i deputetëve të fituar bie në katër ose pesë, numër i cili gjithsesi mjafton për të nxitur garën brendapartiake dhe për t’i dhënë jetë një skenari, ku spikat papjekuria dhe naiviteti i një pjese të madhe të kandidatëve dushkaxhinj. Pavarësisht nga ngjyrimi politik (kur kanë) këta kandidatë i karakterizon një leitmotiv i përbashkët: synimi për të fituar dymijë vota për subjektin politik që përfaqësojnë. Rrallë qëllon që kjo shifër të jetë njëmijë e pesëqind apo dymijë e pesëqind. Duket sikur ka një marrëveshje të fshehtë midis kryetarëve të djallëzuar për të bindur kolopuçët e rritur se synimi i tyre elektoral duhet të jetë pikërisht numri dymijë. Kur mendon se janë rreth gjashtë-shtatë parti parazite që presin me lugë në brez të bien nga qielli lëndet e dushkut, sqarohet edhe domethënia e numrit “magjik” dymijë. Ai lejon që kandidatët dushkaxhinj të mos shamatohen njëri me tjetrin. Në një zonë ku votojnë dymbëdhjetë deri katërmbëdhjetë mijë zgjedhës, votat “mjaftojnë” për të gjithë. Kështu kandidati mund t’i ligjërojë ditën shokut në bar dhe natën gruas në shtrat: “Nëse do t’i siguroj ato dymijë vota të bekuara, korriku më gjen deputet!” dhe të presë me padurim momentin kur do t’i hapen dyert e parlamentit.
3.Nga një analizë paksa më e thelluar kuptohet se sa të cekët janë kandidatët e dushkut dhe sa të mëdha janë mundësitë që ata të dalin të zhgënjyer, kur të shpallen rezultatet e votimeve. Mega-Dushku nuk ka për të qenë një proces i paorganizuar, i cili do të lihet në dorë të kandidatëve në bazë. Krerët socialistë dhe demokratë do të marrin në dorë hartën e Shqipërisë dhe do të vendosin që në Tiranë se për kë do ta hedhin votën militantët e “iks” apo “ypsilon” zone elektorale. Në të kundërt mund të ndodhë që ndonjë nga aleatët e dushkut të mos marrë numrin e nevojshëm të votave, ndërkohë që një tjetër merr më shumë vota se “i janë taksur”. Nëse do të liheshin “të lirë” në zgjedhjet e tyre, demokratët do t’i hidhnin votat partiake drejt republikanëve besnikë, sikundër do të bënin socialistët me agrarët e bindur. Për të shmangur këtë situatë, vota do të komandohet. Orientimi i votës do të shpërblejë padyshim figurat qendrore të dushkaxhinjve, apo ata kandidatë që gëzojnë mbështetjen dhe favoret e partisë së madhe të krahut përkatës. Në këtë mënyrë, gara brenda partiake humbet kuptimin, sepse, pavarësisht nga përpjekjet e kandidatëve të partive të vogla, kolltuku parlamentar do të shkojë tek i përzgjedhuri nga socialistët, ose demokratët. Premtimi i kryetarëve për lojë të ndershme me lista të hapura kthehet në hipokrizi. Gjithsesi, një tipar i politikës shqiptare të viteve të fundit do ta kishte kursyer mundin e analizës së mësipërme. Lider-ucët kanë krijuar në kupolën e partizave përkatëse një kastë të privilegjuarish, e cila ka gëzuar përfitimet politiko-ekonomike të lidhura me pushtetin. Vetëm “sfidantët” dritëshkurtër mund të besojnë se në kushtet kur gjithçka vendoset nga Mega-Dushku kryetarët do të parapëlqejnë të sapoardhurit në raport me gardën e vjetër. Rishtarët do të shohin me shpresë të kotë drejt “bamirësit” lokal nga partia mëmë. Skenari i Mega-Dushkut nuk do të jetë aspak në dorën e këtij të fundit.
4.Nuk ka dyshim se me nxehjen e fushatës dhe zbulimin e taktikave elektorale, do të dalin zbuluar edhe planet e shpërndarjes së votave midis dushkaxhinjve. Shumë shpejt biznesmenët, intelektualët dhe profesionistët e afruar rishtazi pranë partive të dushkut do ta kuptojnë se janë keqpërdorur si sfondi elektoral i një farse të paracaktuar. Do të ketë të tërhequr dhe të dorëhequr, kandidatë që do të reagojnë ashpër dhe nga ata që do të largohen në heshtje. Ashtu sikundër do të ketë edhe kandidatë-strucë, që do ta nxjerrin kokën nga rëra vetëm më katër korrik, për të kuptuar mashtrimin dhe përjetuar zhgënjimin. Për të kujtuar me turp muajin kur lypnin me përunjësi “Më fal ndonjë votë zotni” dhe nënteksti i përgjigjes që merrnin ishte “Nano të dhashtë”.