E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë, pranon padinë e nënës së Edi Ramës ndaj Berishës

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjykata e Lartë në Tiranë pranon të marrë në shqyrtim padinë e nënës së Edi Ramës në adresë të Kryeministrit Sali Berisha për akuzën e shpifjes kryer publikisht.
Pas hedhjes së shortit me gogla, midis të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga Evjeni Sinoimeri, si relatore e çështjes, Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi Çeliku dhe Irma Bala. Kryeministri i vendit Sali Berisha është paditur kohë më parë në Gjykatën e Lartë për shpifje të kryer publikisht në dëm të zonjës Aneta Ramës, nënës së kryesocialistit Edi Rama. Aneta Rama ka depozituar përmes avokatëve të saj një padi në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar procedimin e Kryeministrit dhe dëmshpërblimin ndaj cenimit të dinjitetit të saj.

Drejtuar Gjykatës së Lartë Tiranë

E nderuar zonja Kryetare
Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim, shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 të Kodit Penal. Vepra e mësipërme është konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur prej të akuzuarit prej meje në seancën plenare të datës 26.11.2009. Në këtë seancë, Sali Berisha shqiptoi në ligjëratë të drejtë në adresën time fjalët e mëposhtme: “Tani do ti them zonjës: kam shumë respekt për ty po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që tu tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajo si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar.” Nga këto thënie dalin në pah dy momente me përmbajtje shpifëse në dëmin tim: 1. Në fjalën e tij i akuzuari prej meje më bën thirrje që të dal e tiu tregoj shqiptarëve se djalin tim Edi Rama e paskam kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë. Kjo është një shpifje që synon të ulë dinjitetin tim si nënë para syve të mbarë opinionit publik sepse, sipas Sali Berishës, megjithëse e ndërgjegjshme për sëmundjen e tim biri, e cila në fakt është absolutisht një trillim i njeriut që sot akuzoj, unë nuk paskam as kurajon dhe as sinqeritetin që tua bëj atë të ditur shqiptarëve, megjithë përgjegjësinë që kam ndaj tyre si qytetare dhe si nënë shqiptare. 2. i akuzuari prej meje Sali Berisha shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto “fakte” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkundi realitetit. Në thëniet e sipërcituara plotësohen të dy elementët objektivë të domosdoshëm për ekzistencën e figurës së veprës penale të shpifjes. Nga ana tjetër, është i kuptueshëm qëllimi i posaçëm dhe i kundërligjshëm i autorit, i cili synon të ulë dinjitetin tim njerëzor dhe respektin që unë gëzoj në shoqëri. Në rastin e parë kërkon të më paraqesë para opinionit publik si një grua të pasinqertë dhe të papërgjegjshme për fatin e bashkëqytetarëve të saj, kurse në rastin e dytë, i akuzuari synon të njëjtin qëllim, por në kontekstin e një nëne pa dinjitet, të cilën i biri e flak për leckash në rrugë. Në të dyja rastet, qëllimi kriminal i Sali Berishës shkon në drejtimin e paracaktuar nga mendësia e tij për të diskredituar publikisht jo vetëm kundërshtarin e tij politik, por edhe njerëzit e afërt të familjes. Për këto arsye, Sali Berisha duhet të gjykohet, sepse ka konsumuar ndaj meje veprën penale të shpifjes, të kryer botërisht, faqe deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mjeteve të informimit publik, e cila sanksionohet sipas nenit 120/2 të Kodit Penal. Lidhur me sa parashtrova, i kërkoj Gjykatës së Lartë që të caktojë një datë për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë për gjykimin e të akuzuarit Sali Berisha, për kryerjen e veprës penale të shpifjes, të kryer botërisht në dëmin tim. Gjithashtu, në mbështetje të neneve 58 e vijuese të KPRP kërkoj që të legjitimohem në cilësinë e paditësit civil në procesin penal, me qëllim paraqitjen e kërkimeve në proces për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga veprat penale të kryera në dëmin tim nga i akuzuari.

Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›