E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedia dhe Sllovenia së shpejti me ambasada në Tiranë

Autori i Lajmit: Redaksia

Suedia dhe Sllovenia do të hapin së shpejti ambasada në vendin tonë. Qeveria suedeze vendosi hapjen e ambasadës në Shqipëri, duke e ngritur rangun e zyrës përfaqësuese suedeze, që aktualisht funksionon prej disa vitesh në vendin tonë, në atë të një ambasade. E njëjta gjë u vendos edhe në lidhje me Kosovën.
Sipas agjencive të lajmeve suedeze, Suedia do të mbyllë 6 ambasada dhe do të hapë 10 të reja. Do të mbyllen ambasadat suedeze në Bratislavë, Dakar, Dublin, Lubljanë, Luksemburg dhe Sofje brenda këtij viti. Në të njëjtën kohë, prezenca diplomatike e Suedisë do të forcohet në Kaukaz dhe në Ballkan duke ngritur nivelin e përfaqësimit aktual në Prishtinë, Tbilisi (Gjeorgji), Chisinau (Moldavi) dhe në Tiranë. Siç bëhet e ditur edhe në komunikatën përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme, qeveria suedeze synon të forcojë prezencën e saj në Ballkan e Kaukaz nëpërmjet ngritjes së nivelit të përfaqësimit nga zyrat ekzistuese në atë të ambasadës. Ministri i Jashtëm, Bild ka pohuar se “ne duam të jemi prezentë atje ku paratë tona për mbajtjen e ambasadave të përdoren në mënyrën më të dobishme. Është pozitive që ne mund t’i përdorim burimet tona për të forcuar prezencën tonë në një numër vendesh që ndodhen pranë nesh”. Edhe ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim, Gunila Karlson, ka pohuar se ngritja e nivelit të zyrave përfaqësuese në ambasada është pjesë e procesit të mbështetjes për implementimin e ndihmës për zhvillim ndaj atyre vendeve me të cilat Suedia ka marrëveshje afatgjata bashkëpunimi për zhvillim. “Një prezencë më e fortë në vend është shumë e rëndësishme për implementimin e një bashkëpunimi për zhvillim me cilësi të lartë e të orientuar nga rezultatet”, - shtoi ajo. Gjithashtu, nga burime konfidenciale bëhet e ditur se edhe Sllovenia do të hapë së shpejti ambasadën e saj në Tiranë. Ky lajm vjen menjëherë pas hapjes edhe të ambasadës sllovake në vendin tonë.

Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›