Ristani: “Zëvendësimi i mandateve, me shumicë të thjeshtë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Debati për mandatet e deputetëve socialistë ka përfshirë në vorbullën e tij dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Pas disa deklaratave mediatike se zëvendësimi i deputetëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëhet vetëm me shumicë votash pra me 5 vota pro, Ristani ka sqaruar se votimi me shumicë të thjeshtë në KQZ mund të bëjë zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve, të cilëve u ndërpritet mandati sipas nenit 71 të Kushtetutës. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e mbështet këtë logjikë në kodin elektoral, i cili, sipas tij, shprehet qartë për rastet e vendimmarrjes së cilësuar, pikërisht në nenin 24 të tij. Sipas Ristanit, procedura ligjore parashikon që KQZ të veprojë sapo merr njoftimin nga Kuvendi për mungesën e deputetëve.
Sqarimi
“Tek vendimet që duan 5 vota nuk përfshihet vendimmarrja në rastin e nenit 164. Ky nen përcakton vendimet sipas neneve 162, 163, 165 që kërkojnë pesë vota. Vendimi që duhet të ndajë KQZ në këtë rast është një vendim administrativ. Pra vendimmarrja që Partisë Socialiste i takojnë 15 nga mandatet për qarkun e Tiranës, është vendimmarrje e mbyllur e dhënë për këto zgjedhje dhe nuk ndryshon, janë mandate që i takojnë kësaj partie. Gjithashtu, lista është e miratuar dhe nuk ndryshon më. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thjesht do të përcaktojë se kush është i 16-i në listë për shkak se lista është e depozituar në KQZ. Dhe duke qenë kështu, ligjvënësi nuk e ka futur këtë lloj vendimmarrjeje në vendimmarrje të cilësuar, por ka thënë vetëm kur shpërndahen mandatet për zonë zgjedhore”, - tha ai. Ristani ka sqaruar se KQZ merr vendime pas njoftimit nga Kuvendit. “Është Kuvendi që lajmëron KQZ për vakancën e krijuar dhe është ai që jep pastaj emrin që vjen në listë. Kjo është procedura”, - ka sqaruar kreu i KQZ-së. Ristani ka pohuar se neni 164 i Kushtetutës thotë se KQZ, merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. “Kjo procedurë votohet edhe me një shumicë prej vetëm 4 anëtarëve të komisionit dhe nuk do të mund të bllokohet edhe në rast vënieje në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese”, - pohon ai. Kreu i KQZ-së ka sqaruar se deputetët që sapo kanë përfituar mandatin, tashmë kanë një afat edhe më të ngushtë brenda të cilit, Kodi Elektoral i ngarkon me detyrimin që të bëjnë betimin, vetëm 30 ditë. Pas kësaj KQZ do të përfshihej në një tjetër procedurë zëvendësimi mandatesh në listën proporcionale të subjektit politik. Ndërprerja e mandateve të socialistëve është kthyer në një temë të nxehtë debati, e cila është komentuar gjerësisht jo vetëm nga politika, por dhe nga ekspertët. Çlirim Gjata, ish-kryetari i KQZ-së, sqaron se është ligji themeltar i shtetit që i detyron deputetët që të përligjin votën e marrë nga populli në zgjedhjet e përgjithshme. “Nga pikëpamja ligjore mospjesëmarrja në Kuvend është antikushtetuese, sepse një kandidat ka plotësuar kriteret e kandidimit dhe ka lidhur e fituar më pas një kontratë me popullin, pra ka tagrin e përfaqësimit të tij në Kuvend, prandaj ai është i detyruar të zbatojë Kushtetutën. Është e njëjta gjë si me një prokurë”, - është shprehur Gjata. Në arsyetimin e tij juristi Gjata shkon më tej kur thotë se mandati është individual dhe jo kolektiv dhe, si i tillë, deputetëve të Partisë Socialiste iu është ndërprerë që në momentin kur refuzuan të bëjnë betimin në shtator. “Djegia e mandateve shihet në planin individual dhe jo kolektiv siç pretendohet nga opozita dhe me kalimin e afateve e humbet këtë mandat. Por mandati i tyre duhet të ishte ndërprerë që kur nuk bënë betimin. Ndonëse ka një interpretim të rregullores që, bazuar në nenin 71.2, thotë se ai i ndërpritet pasi nuk paraqiten për 6 muaj pa arsye dhe më pas kërkohet zëvendësimi nga KQZ-ja”,- ka vijuar më tej Gjata. Ndërsa kostitucionalisti Luan Omari ka deklaruar se ‘do të jetë e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike, marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve, kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë, sipas tij, do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike.
Neni 164
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi
1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast
Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.
2. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit si dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në
shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
3. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.
Ky lajm është publikuar: 22/01/2010