E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset agjenti i Antidrogës, paguhej për të ruajtur parcelën me marijuanë

Policia dhe SHKB-ja arrestojnë Shpëtim Gurin, specialist i Antidrogës në Shkodër. Në pranga edhe dy kultivuesit e lëndës narkotike, Ndriçim Fikaj dhe Fatjon Kurtja

SHKODËR - Agjent antidrogë, jo për të parandaluar dhe luftuar kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, por për ruajtjen dhe mbarështimin e tyre. Një fenomen i tillë ka ndodhur në rrethin e Shkodrës, ku pas disa muajsh hetimi ka rënë në pranga një punonjës policie, së bashku me tre persona që kishin mbjellë një sasi të konsiderueshme Cannabis sativa. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se, në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Bliri”, Drejtoria Rajonale e Shkodrës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, mëngjesin e djeshëm kanë arrestuar shtetasit Shpëtim Guri, lindur e banues në fshatin Domen dhe banues në fshatin Doraç, të rrethit Shkodër, me detyrë specialist në Seksionin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarku, Ndriçim Fikajn dhe Fatjon Kurtajn, 26 vjeç, që të dy këta nga fshati Ura e Shtrejtë. 34-vjeçari Guri akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërkohë që janë asgjësuar rreth 7000 rrënjë lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa.
Operacioni
Burimet zyrtare policore thanë se i dyshuari, Shpëtim Guri shërbente si mburojë për kultivimin e marijuanës në zonën e Postribës. “Specialisti i Antidrogës ishte nën hetim prej tre muajsh, pasi kishte dyshime se ai, jo vetëm që lejonte në Postribë kultivimin e marijuanës, por edhe shërbente si mbrojtje për të vijuar qetësisht dhe pa kokëçarje policore, kultivimin deri në trafikim të drogës”, - deklaruan zyrtarët e Policisë së Shkodrës. Nga veprimet hetimore të kryera, nëpërmjet aplikimit të metodave të speciale të hetimit, për një periudhë tremujore, është bërë i mundur sigurimi i provave dhe dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të këtyre personave, për veprat penale për të cilat janë ndaluar. Gjatë ditës së djeshme operacioni policor vijoi me arrestimin e 34-vjeçarit tjetër, Ndriçim Fikaj dhe të Fatjon Kurtaj, 26 vjeç, që të dy këta nga fshati Ura e Shtrenjtë e Shkodrës. Dy të rinjtë janë nën akuzë për kultivim të lëndëve narkotike. Mësohet se Kurtaj dhe Fikaj kishin mbjellë në zonën e Postriobës gjithsej 7000 rrënjë bimë narkotike të llojit marijuanë, të cilat prej kohësh kultivoheshin qetësisht, pasi përgjegjës i antidrogës për zonën, ishte pikërisht i arrestuari i sotëm, Shpëtim Guri.
Hetimet
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se bimët narkotike janë asgjësuar nga policia e Shkodrës në fshatrat e komunës Postribë ku edhe ishin kultivuar. Sipas tyre, lënda narkotike ishte bërë gati për tu trafikuar. Pas arrestimit të specialistit antidrogë dhe dy të dyshuarve të tjerë, policia tha se po i vazhdon edhe më hetimet, për të zbardhur rrethana të tjera mbi ngjarjen dhe të implikuar të tjerë të mundshëm. Gjatë gjithë verës policia e Shkodrës ka bërë disa aksione në komunat e Postribës, Shkrelit, Hotit dhe zona të tjera në thellësi të vendit, ku janë asgjësuar mbi 31 mijë rrënjë Cannabis sativa. Ndërkohë që ka pasur pak kultivues të arrestuar, me pretendimin se nuk janë gjetur pronarët e tokave ku është mbjellë droga.

TË ARRESTUARIT

Shpëtim Guri, 34 vjeç, lindur në fshatin Domen dhe banues në fshati Doraç, të rrethit Shkodër, me detyrë specialist në Seksionin e Luftës Kundër Drogës

Fatjon Kurtaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në fshatin “Ura e Shtrejtë, i akuzuar për veprën penale të “kultivimit të lëndëve narkotike”

Ndriçim Fikaj, 34 vjeç, lindur dhe banues në fshatin “Ura e Shtrejtë”, i akuzuar për veprën penale të “kultivimit të lëndëve narkotike”

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›