Hetimet pasurore, në sitë lokale e biznese në Tiranë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimin e pasurive të personave që janë ndaluar gjatë operacionit të koduar “Ura”. Hetuesit e seksionit “Antimafie” në prokurori u kanë nisur bankave të niveleve të dyta kërkesë për verifikimin e llogarive bankare të këtyre personave. Një gjë e tillë është realizuar edhe me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Paraprakisht, nga përgjimet e Krimeve të Rënda dyshohet se këta persona kanë disa lokale në Tiranë, në afërsi të Qytetit Studenti. Sipas akuzës, krahas aktivitetit kriminal, shtatë personat e arrestuar dhe dhjetëra të tjerë nën hetim, administronin biznese të rëndësishme në vendin tonë. Pas ekzekutimit të masave të sigurisë, akuza e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimin e pronave, ku paraprakisht dyshohet se disa prej tyre kishin në pronësi dhe administrim edhe një fabrikë birre. “Krahas aktivitetit kriminal po hetojmë pasuritë e vëna nga këta persona”, tha zëvendësdrejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Beluri, gjatë konferencës për shtyp disa ditë më parë. Nga burime të gazetës deklarohet se shtetasit e arrestuar kanë nën administrim shumë prona. Të dhënat e akuzës flasin për një verifikim total të pronave me ligjin e ri “Antimafie”, ku të gjithë të hetuarit dhe të ndaluarit duhet të deklarojnë prejardhjen e parave për ngritjen e pasurive që zotërojnë ata dhe familjarët e tyre.
#