E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Karta falas, qeveria një javë afat”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste cakton afatin që ka në dispozicion Qeveria për të dhënë karta identiteti falas. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, pohoi dje se kjo është java e fundit kur mund të realizohet kushti kryesor për zgjedhje të lira. Socialistët nuk besojnë në zgjidhjet që ka dhënë deri me tani qeveria, por i quan ato hilet e fundit të saj. Islami tha se duke shpërfillur këtë kërkesë të opozitës, Kryeministri po merr përgjegjësinë e rëndë të dështimit të zgjedhjeve. Arsyeja e kësaj kërkese, sipas selisë rozë, lidhet me varfërinë e shumë votuesve dhe pamundësinë për ta përballuar këtë taksë. Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë për pengim të procesit normal zgjedhor duke pohuar se PD kërkon të ndryshojë rezultatin, duke penguar votuesit të marrin pjesë në zgjedhje si dhe duke pajisur me karta vetëm militantët e saj.
Kërkesa
“Disa ditë rresht, me shqetësim, i kemi kërkuar me të gjitha mënyrat Kryeministrit të reflektojë, për të hequr taksën e votës dhe të çlirojë zgjedhjet nga makthi i vjetër i manipulimeve. Kryeministri, duke bërë shurdhin, po vë edhe këtë radhë zgjedhjet në rrezik. Ai përfundimisht po merr përgjegjësinë e rëndë të prishjes së tyre. Berisha nuk po e dëgjon zërin e votuesve të varfër, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Duke i shpërfillur ata po afron çdo ditë dështimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, - theksoi deputeti socialist. PS i bën thirrje qeverisë të heqë atë që ajo e cilëson taksën e votës duke deklaruar se Berisha po vë në rrezik zgjedhjet dhe dështimi i tyre është një goditje për vendin. “Kujtojmë me keqardhje se do të ishte shumë e rëndë që një vend i NATO-s të dështonte në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet demokratike. Po ashtu, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për fitimin e statusit të vendit kandidat, dhe një moment i humbur e vonesë në rrugën drejt BE”, - u shpreh Islami. Ai theksoi se kjo do të ishte gjithashtu, një pengesë shumë e madhe për shqiptarët për të përfituar nga projekti i BE-së për lëvizjen e lirë në zonën Shengen të qytetarëve të Ballkanit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS theksoi se prapa këtij dështimi të zgjedhjeve lexohen qartas përpjekjet e Kryeministrit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke ndryshuar rezultatin e tyre përmes kartave të identitetit. PSSH ka qenë shumë luajale me kërkesën e saj të hershme për heqjen e taksës së votës dhe nuk ka dashur asnjëherë që kjo çështje të kthehet në politike dhe aq më pak elektorale.
Taksa e votës
Islami shtoi se PS nuk kërkon të kthejë në debat politik apo elektoral mënyrat sesi shërbimet e tjera të detyrueshme të parashikuara të kryhen me të njëjtën kartë do të garantoheshin pas zgjedhjeve. “Me propozimet tona ne nuk kemi kërkuar asnjëherë të bëhemi bashkautorë në këtë proces, ndërkohë që kemi bërë transparente të gjithë shqetësimet e votuesve dhe njëkohësisht jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest që zgjedhjet të mos dështojnë. Nga ana tjetër, ne nuk mund të qëndronim indiferentë kur filloi të aplikohej një skemë e ngjashme me ato në vendet afrikane, kur qeveria në pushtet çdo herë që ka zgjedhje shpërndan karta identiteti vetëm për mbështetësit e saj. Dhe kështu qeveria transformon fitoren e kundërshtarit në fitore të saj”, - tha ai. Sipas socialistëve, duhet të bëhet një dallim i qartë mes kartës së identitetit si dokument për votim dhe kartës së identitetit si dokument identifikimi për të përfituar shërbime të ndryshme. Sipas tyre, të jepet falas karta e identitetit në mënyrë që çdo shqiptar të ketë të drejtë vote dhe më pas në momentin që ai përdor kartën për të përfituar një shërbim të caktuar, të paguajë tarifën përkatëse për të. I pyetur më tej për mundësinë e shtyrjes apo bojkotin e zgjedhjeve, Islami tha se “PS mbetet e angazhuar dhe është e përgatitur në të gjitha aspektet që zgjedhjet të zhvillohen më 28 qershor 2009. Përsëris që PS nuk do të lejojë dështimin e zgjedhjeve dhe as ndryshimin e fitores së saj”. Ai përsëriti thirrjen për aplikimin për karta.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›