Hetimet për foshnjën e hedhur në kosh përfshijnë rrethet
TIRANE- Hetimet për të gjetur prindërit që kishin flakur foshnjën 2-muajshe në kazanët e plehrave është shtirë përtej kryeqytetit. Oficerët e komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të Elbasanit apo Peqinit, pasi dyshohet se foshnja nuk u përket prindërve banues në zonën ku u gjet i vdekur. Foshnja e seksit femër u gjet të shtunën në mbrëmje, në kontenierët e grumbullimit të mbeturinave në kthesën e Sanatoriumit në juglindje të Tiranës. Ishin endacakët që duke kërkuar nëpër kazanë, kishin parë foshnjën e pajetë, gjë të cilën e kishin konfiduar me kalimtarë aty pranë dhe këta të fundit lajmëruan policinë. Trupi i pajetë i foshnjës u dërgua në morgun e Tiranës për ekspertimin mjekoligjor, kurse oficerët e komisariatit mësynë në dy maternitetet e kryeqytetit; në atë “Nëna Mbretëreshë” dhe tek “Koço Gliozheni”. Oficerët kryen verifikimin e lidhjeve të ndodhura në kohën kur mendohet të ketë lindur edhe foshnja e gjetur e pajetë. Gazeta Shqiptare shkruan sot duke iu referuar burime të sigurta pranë grupit hetimor se nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar që foshnja të jetë në listën e lindjeve të këtyre materniteteve.. Në rast se policia do të mund të gjejë prindërit që mund të kenë braktisur foshnjën në mënyrën se si u gjet në kazanët e plehrave, ata rrezikojnë deri në 6 vjet burg.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)