Nis pagesa e tarifave, gati legalizimi për 487 objekte pa leje në Elbasan
ELBASAN –Një ndër zonat informale të Elbasanit është ka kaluar në fazën tjetër të legalizimeve pas hapave të ndërmarra nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), e cila ka kualifikuar 487 objekte. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se objektet ndodhen në zonën kadastrale 8521. Shefi i zyrës rajonale të ALUIZNI-it në Elbasan, Ditor Musai, tha se e gjithë kjo zonë informale ka kaluar tashmë në fazën e dytë të legalizimit. Të gjithë qytetarët duhet të paguajnë detyrimet financiare për shërbimet që do të bëjnë ekspertët e ALUIZNI-t dhe më pas detyrimet për ligjërimin e banesave të tyre.
Detyrimet
"Të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për legalizim në këtë zonë u është dërguar fatura e shërbimit prej 4000 lekë, me anë të së cilës çdo njëri prej tyre është i detyruar të paguajë për hartat, dokumentacionin, matjet, etj", - tha Ditor Musai, kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale. Sipas tij, në fazën e dytë qytetari duhet të paguajë taksën e ndikimit në infrastrukturë që për banesat është 1 për qind dhe për objektet si dyqane apo biznese është 2 për qind. Musai theksoi se deri tani janë lajmëruar nëpërmjet postës qytetarët, të cilët duhet të paraqiten pranë degës së bankës "Credins", ku duhet të derdhin shumën prej 4000 lekë dhe do të pajisen me një faturë, e cila do t'iu shërbejë pas kualifikimit për fazën e dytë.
Përjashtimet
Musai ka shpjeguar edhe rastet e objekteve pa leje që do të përjashtohen nga ky proces. "Një banesë legalizohet kur nuk shkel ligjet, ndër të cilat nuk pengon zhvillimin urbanistik, nuk ndodhet mbi kolektorë, ujësjellës, nën linjat e tensionit të lartë, nuk bllokon sheshe, etj. Në rastin tonë shtesat e pallateve që pengojnë zhvillimin nuk do të marrin leje legalizimi", nënvizoi Musai, ndërsa shtoi se nuk do të legalizohen gjithashtu garazhe mes shesheve apo objekteve, që dëmtojnë infrastrukturën arkitektonike të zonës.
Musai siguron se të gjithë pronarët e truallit, ku janë bërë ndërtime pa leje, do të marrin kompensim të plotë. Në të gjithë qarkun e Elbasanit janë rreth 18700 ndërtime informale, të cilat tashmë presin të legalizohen dhe të certifikohen si ndërtime formale për të dalë nga skema e informalitetit. Në disa rrethe procesi i legalizimeve ka mbetur prapa për shkak të problemeve me aplikimet apo me ndërtimet që janë ngritur në zona që nuk lejohet ligjërimi i tyre.
Katër ditë më parë Këshilli i Ministrave urdhëroi autoritetet vendore në Durrës që të nisin procesin e legalizimit të 2200 ndërtesave në periferi të qytetit, pikërisht në zonën e ish-Kënetës, e cila ka qenë tokë në pronësi të shtetit. Krerët e ALUIZNI-t në këtë qark janë shprehur se brenda kësaj jave do të vazhdojë shpërndarja e njoftimeve për 2200 aplikues, të cilët kanë ndërtuar pa leje në këtë zonë dhe që kanë kërkuar të legalizojnë banesat e tyre. Për secilën prej këtyre banesave, ALUIZNI ka llogaritur dhe faturën financiare. Pagesa e kësaj fature do të pasohet nga ana e zyrës hipotekore me lëshimin e certifikatës së pronësisë për aplikuesit.
Paraqitet studimi në aksin Fier-Lushnjë, ja kriteret për ndërtime
FIER - Drejtoria e Urbanistikës pranë Këshillit të Qarkut të Fierit ka përgatitur një studim urbanistik për ndërtimet gjatë rrugës nacionale dhe autostradës Fier-Lushnjë. Kryetari i Qarkut të Fierit, Luan Muçaj bëri dje publik studimin, i cili është emërtuar “Masterplan i mbrojtjes dhe zhvillimit të ndërtimeve përgjatë rrugës nacionale dhe autostradës Fier-Lushnjë”. Në të është marrë në shqyrtim një sipërfaqe rreth 20 hektarë në segmentin rrugor nga rrethrrotullimi në fshatin Mbrostar (në hyrjen veriore të Fierit), deri te rrethrrotullimi i fshatit Kolonjë, pothuaj 20 kilometra larg Fierit. “Pozicioni mjaft i favorshëm për biznesin privat, por edhe për objekte banimi, ka bërë që të rritet interesi për ndërtim në këtë segment", tha Muçaj. Ai theksoi se studimi u përgatit “për t'i thënë 'stop'” masakrës urbane të ndërtimeve pa lejë apo spontane, të cilat cenojnë strategjinë e zhvillimit të përgjithshëm. Ky studim parashikon që objektet e shërbimit publik, karburantet, bar-restorantet, objektet e prodhimit dhe përpunimit, do të jenë 60 metra larg nga aksi i autostradës, ndërsa në të dyja anët e rrugës, paralel me të, do të krijohet një brez i gjelbër.
22 Tetor 2008