Të miturit rrëfejnë abuzimet që iu bënë dy anglezët
Laureta Rryçi
Tiranë – Shtohen dëshmitë kundër dy shtetasve të huaj, që akuzohen për abuzim me të miturit. Dy të mitur kanë sjellë para trupit gjykues, nëpërmjet videokonferencës, detaje rrëqethëse për abuzimin që ishte bërë ndaj tyre. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë sqaruan dje për gazetën “Albania” se dëshmi tronditëse në sallën e gjyqit janë dëgjuar dje nga dy fëmijët kundër Dino Kristodulus dhe Robin Arnold, dy shtetas anglezë të akuzuar për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Përpara gjykatës fëmijët kanë treguar momentet më të tmerrshme që kanë përjetuar në qendrën “Fëmijët e tij”, ku kishin jetuar për disa vite me radhë. Dëshmitë e tyre janë dëgjuar me videokonferencë si dhe janë zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të moshës se tyre. Trupi gjykues është munduar t’i pyesë me kujdes djemtë e vegjël, të cilët dukeshin se ishin të tronditur nga e gjithë historie e pedofilëve anglezë.
Dëshmitë
Njëri prej tyre, A. Q., ka dhënë dëshmi tronditëse para gjykatës, ndërsa fëmija i dytë, D. A., është munduar t’i mbulojë veprimet e kryera ndaj tij, edhe pse ka një ekspertizë mjeko – ligjore që tregon dhunimin seksual. “Unë kam vajtur në qendër që në moshën 1-vjeçare. Në familje jemi shumë fëmijë dhe prindërit nuk kanë pasur mundësi të më mbanin me bukë. Ata pranuan të shkoja në qendër. Kam qëndruar aty për 6 vjet. Por të them të drejtën, do të ndihesha më mirë në rrugë, sesa në atë qendër”, - mësohet të ketë rrëfyer dje në praninë e psikologes i mituri A. Q. Sipas burimeve nga gjykata, ai ka bërë me dije se David Braun dhe Dino Kristodulu e kanë keqtrajtuar. “Ata për çdo natë vinin më merrnin dhe bënin me mua gjëra të turpshme. Ai që ka abuzuar më shumë me mua është xhaxhi Davidi dhe Dino Kristodulu. Xhaxhi Dino vinte afër meje, më fërkonte të ndenjurat dhe më pas dorën e nxirrte përpara. Pasi më mbyllte gojën ai vazhdonte të më përdhunonte. Kur mbaronte më thoshte të mos tregoja asgjë. Unë kisha frikë dhe disa herë i kisha thënë xhaxhi Robinit”, - ka vijuar dëshminë e tij i mituri. Më tej ai ka shtuar se i pandehuri, Robin Arnold, nuk ia kishte vënë veshin asnjëherë dhe nuk bëri ndonjë gjë që ta mbronte atë dhe shumë fëmijë të tjerë të Qendrës. Të gjitha këto fakte i ka bërë me dije dje fëmija 8-vjeçar para trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj.
Dëshmia e dytë
Paksa tip më i ndrojtur dhe jo aq i gatshëm për të rrëfyer sa i mituri i parë ka qenë dëshmitari i dytë. Përpara gjykatës ai është munduar të mbulojë veprimet e të pandehurve. Sipas burimeve nga gjykata, ai u ka bërë me dije togave të zeza se ka harruar çfarë ndodhi me ta në Qendër për shkak se ka rënë nga kati i dytë dhe nuk mbante mend asgjë. Gjatë dëshmisë së tij D. A. është shprehur se shumë shokë të tij kanë pasur dhimbje nga historitë e ndodhura, ndërsa nuk kujtonte asnjë rast të abuzimit ndaj tij, edhe pse prokuroria kishte në dosje një ekspertizë mjeko-ligjore që vërtetonte dhunimin seksual të tij. Dy të pandehurit kanë drejtuar qendrën “Fëmijët e tij” së bashku me të pandehurin David Braun, i cili po gjykohet vetë në këtë proces. Për të prokuroria kërkoi pak ditë më parë dënimin me 20 vjet burg.
22 Tetor 2008