Kumbaro përplas Prokurorinë me Policinë
Laureta Rryçi
Arrestimi i Ilir Kumbaros sjell përplasje midis institucionit të akuzës dhe Policisë. Prokurori i çështjes së Remzi Hoxhës deklaroi dje në sallën e gjyqit se deri dje nuk kishin asnjë informacion zyrtar nëse Kumbaro ishte ndaluar në Londër. Xhevat Hana i shpjegoi kolegjit penal se i gjithë informacioni ishte vetëm nga ana e medias dhe për momentin akuza nuk kishte një qëndrim për një nga të pandehurit e kësaj dosjeje. Ky fakt e detyroi trupin gjykues që të shtynte procesin gjyqësor për dy javë me radhë, për t’i dhënë kështu mundësi akuzës të mbante një qëndrim për Kumbaron. Ky i fundit deri tani është pranuar nga gjykata të gjykohet në mungesë për shkak se nuk i dihej vendndodhja. Sakaq, po në seancën e ardhshme, prokurorit i duhet të mbajë qëndrim edhe për statusin që do të kenë dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, deri në përfundim të procesit gjyqësor. Pas një maratone të gjatë në të tria shkallët e Gjyqësorit, Gjykata e Lartë solli për rigjykim në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda kërkesën e Prokurorisë për masat e sigurisë mbi Sefgjinin dhe Koldashin.
Përplasja
Edhe pse arrestimi i Kumbaros u trumbetua në një konferencë për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, i vetmi institucion që nuk ka marrë dijeni është Akuza. Të paktën kjo ishte thënia e prokurorit të dosjes, Xhevat Hana, dje, kur u pyet nga kolegji penal. Disa herë prokurori u shpreh se deri tani kishin informacion që kishte si burim median dhe jo ndonjë shkresë zyrtare nga policia. Kjo duket se ka ndikuar edhe që gjatë këtyre ditëve prokuroria të mos përgatisë ndonjë dokument për të nisur procedurat e ekstradimit të Kumbaros. Prokurori kërkoi kohë që të njihet me këtë ndryshim për t’u shprehur për rastin në fjalë.
Seanca
Gjatë seancës së djeshme në sallën e gjyqit dëshmuan dy dëshmitarë të thirrur nga Akuza. Të dy ishin inspektorë të asaj kohe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Që të dy dëshmuan për njohjen që kishin me Abdyl Loshajn dhe urdhrat që kanë marrë nga eprorët e tyre për të vëzhguar lëvizjet e Remzi Hoxhës. Dëshmitarit të parë, Qerim Cenke, iu hodh poshtë duke lënë në fuqi dëshmitë që kishte dhënë kohë më parë në prokurori për faktet që ai kishte dijeni. Ndërsa dëshmitari i dytë, Arjan Hysolli, nuk dha shumë detaje për ngjarjen, duke thënë se kishte pak kohë që kishte filluar punën dhe kishte qenë prezent në momentin kur Loshaj kishte tentuar të largohej.
Dëshmitarët e akuzës
Në fund të procesit të djeshëm, kryesuesi i kolegjit penal risolli në vëmendjen e prokurorit se shumë prej dëshmitarëve nuk kishin ardhur, megjithëse iu ishte bërë fletë-thirrja. Sipas tij, Agron Musaraj rezultonte të mos ishte në Tiranë. Ndërkohë, Astrti Sula kishte njoftuar të afërmit se ndodhej për kurim jashtë shtetit. Për Edmond Kazazin thuhej se kishte ndryshuar adresë. Për Kazazin prokurori tha se puna e tij e re ishte drejtor në një nga drejtoritë e Ministrisë së Transportit. Ndërkohë, në seancën e ardhshme pritet të vijnë të dëshmojë Anibal Basha. Ky i fundit u bë i njohur pas incidentit që pati me ish-kreun e SHIK-ut, Fatos Klosi, incident për të cilin u dënua dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës.
22 Tetor 2008