Prangoset polici tatimor i rrem, mashtroi dy biznese
TIRANË - Forcat e policisë së Tiranës arrestuan të martën një 38 vjeçar pasi dyshohet se ka mashtruar dy tregtarë duke iu prezantuar si punonjës i Tatim- Taksave. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut bënë të ditur se është vendosur në pranga shtetasi Ilir Ceka, 38 vjeç, lindur e banues në Durrës, i cili akuzohet se ka mashtruar pronarët e një subjekti privat ushqimor, duke iu prezantuar atyre si punonjës i Tatim Taksave dhe marrë në këtë mënyrë shumën prej 15 000 lekësh, me pretendimin se nuk do t'iu vinte gjobë për shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të kryer në subjektin ushqimor. Forcat e policisë i gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 38 vjeçarit, dokument identifikimi në emër të shtetasit Ilir Ceka, lëshuar nga Dega e Tatim Taksave në Durrës, një dosje me formularë A - 4, ku dy prej formularëve ishin të plotësuar pjesërisht. Bëhet e ditur gjithashtu se çështja në ngarkim të këtij shtetasi i kaloi për hetime Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "mashtrimit", "falsifikimit të dokumenteve" dhe "përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore".
Konflikti për pronën, tenton të vrasë vëllanë
KRUJË - Një konflikt për pronën mes dy vëllezërve, për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 18.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Lutfi Nuna, lindur dhe banues në Krujë. Arrestimi i 63-vjeçarit u bë për arsye se ditën e hënë rreth orës 14.30, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta me armë gjahu, tip çifte, vëllanë e tij, shtetasin Xh. N., vitlindja 1952. Burimet policore sqarojnë se ai ishte përfshirë në një konflikt me vëllanë për një copë tokë, pronësinë e të cilit e pretendonin të dy vëllezërit. “Në lidhje me këtë ngjarje u kryen veprimet e para hetimore gjatë së cilave u bllokua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut (çifte) së bashku me 23 fishekë, te cilat ky shtetas i mbante me leje”, - thanë burimet zyrtare të policisë. Prokuroria e Krujës nisi hetimet në lidhje me shtetasin Lutfi Nuni pasi akuzohet për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë”.
Nis funksionin burgu i sigurisë së lartë në Korçë
KORÇË - Burgu i sigurisë së lartë, rreth 3 kilometra larg qytetit juglindor të Korçës, i ndërtuar përmes një fondi prej 3.6 milionë eurosh të Bashkimit Europian, ka nisur ditët e fundit funksionimin e tij. I ndërtuar pranë rrugës nacionale Korçë- Ersekë në këtë burg të sigurisë së lartë janë transferuar persona të paraburgosur, por edhe një pjesë të të dënuarve me vendim gjykate. Drejtori i këtij institucioni, Petrit Bazelli, tha se "në ambientet e izolimit të burgut janë zhvendosur tashmë të gjithë të paraburgosurit e komisariatit të Korçës". Kapaciteti i burgut të sigurisë së lartë në Korçë është 350 persona dhe aty parashikohet të vendosen dhe të dënuar, të izoluar në burgje të tjera të vendit.
Shoqërohet shoferi i ambulancës, prishi qetësinë para Katedrales
SHKODËR – Një drejtues i ambulancës së Spitalit Rajonal të Shkodrës është ndaluar dhe ndaj tij kanë nisur hetimet në gjendje të lirë pasi ka prishur qetësinë në hyrje të Katedrales së qytetit ku po përgatitej ceremonia në përkujtim të Shenjtërimit të Nënë Terezës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se më datë 19 tetor, rreth orës 19.15, në aksin rrugor Perash- Sareç, të qytetit verior, pikërisht tek Katedralja e qytetit, gjatë kohës që po zhvillohej një ceremoni fetare me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës, një ambulancë me sinjale dhe fenelina ndezur, e drejtuar nga shtetasi B. Sh, ka kaluar në mes të turmës së njerëzve. Ndonëse policia e qarkullimit kishte përcaktuar një itinerar tjetër të lëvizjes së mjeteve, 57-vjeçari nuk ka marrë në konsideratë urdhrat, duke hyrë në mes të grumbullit me njerëz, dhe duke rrezikuar jetën e tyre. Burimet policore sqarojnë se ndonëse nga ana e forcave të rendit, të cilët ishin të pranishëm në këtë ceremoni është paralajmëruar dhe i është sugjeruar drejtuesit të mjetit për të kaluar nga një drejtim tjetër, ai ka vazhduar rrugën, duke pretenduar se po transportonte dy të aksidentuar rëndë nga komuna e Velipojës drejt spitalit të qytetit. “Brenda në këtë ambulancë u konstatua se shtetasi V. N, 18 vjeç dhe nëna e tij M. N, 57 vjeçe, banues në Velipojë, ishin aksidentuar, me dëmtime të lehta, me motorin e tyre në vendin e quajtur Mali Kolaj, pasi u ka prerë rrugën një kalë”, - thonë burimet policore. Dy të dëmtuarit, pasi kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore, janë larguar për në banesën e tyre, ndërsa shoferi është lënë i lirë pasi është marrë në pyetje nga policia.
22 Tetor 2008