Prokuroria tërhiqet për sekuestrot e Isufit dhe të Teqes
Tiranë – Prokuroria e Tiranës bën kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Para që të pushohet kërkesa për sekuestro të pronave të Erion Isufit dhe Dionis Teqes. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje se tashmë kërkesa ka mbërritur dhe dy gjyqtarët, Sokol Tona dhe Shefkie Demiraj do të vendosin nëse do ta pranojnë, apo jo. Kjo kërkesë vjen nga ana e prokurorisë pas kërkesave që iu ribënë bankave, degës së Tatim Taksave dhe Hipotekës për ngrirjen e pasurive të Isufit. Ndërkohë, një ditë më parë Erion Isufi, administratori i 3 kompanive të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, i akuzuar për mashtrim financiar, i kërkon prokurorisë të kërkojë falje publike. Kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka reaguar me një deklaratë dërguar me e-mail në redaksitë e mediave, ku e quan të nxituar vendimin e prokurorisë që urdhëroi sekuestron e pronave të tij. Ndonëse prokuroria vendosi sekuestro mbi pronat e tij për të parë nëse kishte dhe asete të transferuara nga pronat e Fazlliçit, tri ditë më vonë, me urdhër të posaçëm, prokuroria anuloi sekuestron. Anulimi erdhi pasi nuk u gjetën gjurmë që të lidhnin dy aktivitetet. Por ndonëse ky është një veprim procedural i prokurorisë, duket se Isufi e ka konsideruar si një veprim që ka dëmtuar imazhin e tij publik. Akoma më tej, Isufi e quan të pamjaftueshme masën e heqjes së sekuestros dhe i drejtohet prokurorisë t’i kërkojë falje publike ose zyrtare për atë që ai e cilëson shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut. “Vendimi i prokurorisë është një dhunim i paarsyetuar i biznesit dhe në veçanti cenimi i integritetit dhe figurës sime morale dhe familjarëve të mi”, - shprehet Isufi. Erion Isufi, kunati i ministrit Lulzim Basha, menaxhonte tri kompani të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, ku në njërën prej të cilave, pas një transaksioni të dyshimtë, është vënë në hetim me akuzën e pastrimit të parave.
Korçë, nis funksionimin burgu i sigurisë së lartë
Burgu i sigurisë së lartë, rreth 3 kilometra larg qytetit juglindor të Korçës, i ndërtuar përmes një fondi prej 3.6 milionë eurosh të Bashkimit Europian, ka nisur ditët e fundit funksionimin e tij. I ndërtuar pranë rrugës nacionale Korçë- Ersekë, në këtë burg të sigurisë së lartë janë transferuar persona të paraburgosur, por edhe një pjesë e të dënuarve me vendim gjykate. Drejtori i këtij institucioni, Petrit Bazelli, tha se "në ambientet e izolimit të burgut janë zhvendosur tashmë të gjithë të paraburgosurit e Komisariatit të Korçës". Kapaciteti i burgut të sigurisë së lartë në Korçë është 350 persona dhe aty parashikohet të vendosen dhe të dënuar, të izoluar në burgje të tjera të vendit.
Gjykata e Krimeve të Rënda dënojnë grupin që vidhte makina luksi
Gjykata dënoi dje me nga 12 vjet burg secilin të pandehurit Edmond e Gentian Neza, 2 vjet e 4 muaj për të pandehurin Dritan Hamiti dhe 900 milionë lekë gjobë. Ndërsa për të penduarin e bandës, Erlind Taullaj, i cili tregoi të mënyrën sesi funksiononte grupi, gjykata e ka dënuar atë me 4 vjet burg. Operacioni “Rexhina”, i organizuar në maj të vitit të kaluar, ka vënë në pranga bandën më tmerrshme të vjedhjes së benzave luksozë. Janë gjithsej 10 të arrestuar, të implikuar në vjedhjen apo grabitjen, riciklimin dhe shitjen e automjeteve, si dhe në vjedhjen e banesave dhe lokaleve. Për 6 muaj ishin kthyer në tmerrin e pronarëve të benzave. Preja e tyre ishin makinat e biznesmenëve dhe VIP-ave, por edhe automjetet e vjedhura jashtë vendit, për të cilat pronarët nuk mundeshin t’i denonconin. I tillë është edhe një Benz Rexhina, prodhim i vitit 2007, pronari aktual i të cilit, siç duket, nuk ka preferuar të denoncojë apo të kërkojë makinën e vjedhur. Grupi funksiononte i organizuar, ku çdokush kishte pozicionin dhe detyrën e vet. Policia ka kontrolluar edhe zonat ku mendohej se janë hedhur targat e automjeteve të vjedhura.
22 Tetor 2008