Vlorë, italiani denoncon vjedhjen e 400 mijë eurove
Një shtetas italian ka denoncuar në policinë e Vlorës se i kanee vjedhur 400 mijë euro. Sipas policisë së qytetit bregdetar, Francesko di Kozola ka denoncuar vjedhjen e shumës së madhe të parave, e cila sipas tij, ka ndodhur ditën e djeshme. Italiani kishte kohë që jetonte në qytetin e Vlorës dhe merrej me aktivitete të ndryshme. Policia tha se ka shoqëruar disa persona që janë marrë në pyetje, që njihen për aktivitete të tilla në këtë zonë. Megjithatë, dyshimet e policisë janë se ky mund të jetë një denoncim i rremë. Kjo, pasi dritaret brenda kanë qenë të mbyllura dhe nuk janë gjetur gjurmë. Sipas dëshmisë së Di Kozolas, ai kishte lënë paratë në një valixhe të fshehur në shtëpi. Aty ai kishte lënë rreth 750 mijë euro. Kur është kthyer me gruan në shtëpi, ka parë se shuma prej 400 mijë eurosh nuk gjendej më. Menjëherë ka denoncuar në polici për mungesën e parave. Po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.