Hetimi, PD: Rama po bllokon informacionin
PD-ja bëri përgjegjës dje kryebashkiakun Edi Rama për bllokimin e informacionit të kërkuar nga komisioni hetimor ndaj tij lidhur me procesverbalet e KRT-së. Puna në komisionin hetimor “Rama 2” është bllokuar për shkak se bashkia e kryeqytetit refuzon të japë informacionin e kërkuar nga Kuvendi. Sipas Ferdinand Xhaferrit, kryetar i komisionit, afati i fundit në dispozicion të pushtetit vendor për të sjellë dokumentet me të gjitha lejet e ndërtimit që prej 2007-s ishte 30 prilli, por pas padisë në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i kryebashkiakut është i qartë. “Frika tek zoti Edi Rama, paniku tek Edi Rama dhe skandali tek Edi Rama është aq i madh, sa ai po synon të fshehë informacionin, po kërkon të bllokojë hetimin. Ne nuk i kemi kërkuar Edi Ramës korrespondencën e tij private me anëtarët e bandës ‘Hakmarrja për drejtësi’, ne i kemi kërkuar gjënë më normale, procesverbalet e mbledhjeve të KRT-së”, - deklaroi z. Xhaferri.
Nëse heshtja e bashkisë vazhdon, Xhaferri bëri të qartë se shteti do ta detyrojë, pasi ka instrumente që do ta detyrojnë Edi Ramën të japë informacionin.