Kufiri detar, Berisha: Matjet, mbi bazën e hartës shqiptare
Marrëveshja me Greqinë për delimitimin e ujërave detare dhe shelfit kontinental bazohet në Konventën Ndërkombëtare të Detit dhe për matjet e bëra, pala shqiptare ka përdorur hartën e Marinës së Republikës së Shqipërisë. Ky është shpjegimi që bëri dje Kryeministri Sali Berisha rreth nënshkrimit të marrëveshjes me vendin fqinj, duke i konsideruar si trillime të bazuara në gënjeshtër, të gjitha pretendimet e hedhura në disa media, sipas së cilave "në përllogaritjen e koordinatave është përdorur hartë greke".
Kryeministri siguroi se "është përdorur Konventa Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit". Berisha, përmes një konference për shtyp, ku foli për vizitën treditore në Pragë dhe Varshavë, pohoi qartë se pala shqiptare llogaritjet i ka bërë me hartën shqiptare, ndërsa pala greke ka përdorur hartën greke pa mundur të përdorë hartën shqiptare. Por sipas tij, për përdorimin e koordinatave ka një praktikë shumë të njohur dhe Konventa e Detit e përcakton qartësisht se si do të bëhen matjet, aty ku nuk ka kufi. Para mediave, Kryeministri bëri të qartë se "ushtria shqiptare nuk përdor harta të një vendi tjetër, por ka hartat e veta". Në këtë rast ai akuzoi mediat që trilluan rreth marrëveshjes: “Se kush ju jep ju një grusht para si media për të shpifur, trilluar, dezinformuar shqiptarët se qenka përdorur harta greke si bazë, kjo është puna juaj”. Për vërtetësi, Berisha u kërkoi përfaqësuesve të mediave që të kërkojnë hartën mbi të cilën është bazuar qeveria. “Pikërisht tek Flota Detare e Republikës së Shqipërisë, gjë të cilën e disponon dhe aty nuk ka asnjë hartë greke. Aty ka një hartë shqiptare dhe nëse jeni të interesuar, shkoni tel Flota dhe merrni hartën dhe harta shqiptare. Ju garantoj se nuk është hartë greke. Komandanti i Flotës ka dalë me hartën shqiptare. Pala greke ka përdorur hartën greke, sepse pala greke nuk mund të përdorë hartën shqiptare. Se si maten koordinatat ka një praktikë shumë të njohur dhe linja mediane është linjë mediane dhe Konventa e Detit përcakton qartësisht si do të bëhen matjet aty, ku nuk ka kufi. Por, pasi u dështuan shpifjet dhe trillimet, tani mendonin se do t’u shisnin shqiptarëve bukën për djathë. Ju thoni se është përdorur harta greke, por jo. Nga autoritetet shqiptare është përdorur harta shqiptare dhe për këtë të jeni të sigurt 100 për qind. Ushtria shqiptare nuk përdor hartat e një vendi tjetër, ajo ka hartat e veta. Ju jeni të lirë të vazhdoni të trilloni, edhe kur e bëni këtë kundër vendit tuaj”, - u shpreh z. Berisha. Ishte gazeta “standard” që e botoi të plotë dy ditë më parë hartën shqiptare për ujërat detare.
Mbrojtja dhe diplomacia: U shtrembëruan faktet
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë zbardhën dje procedurat e ndjekura për ndarjen e ujërave detare. Duke shprehur keqardhje për keqinformimin e qëllimshëm dhe abuziv të disa mediave mbi këtë çështje, të dy këto ministri deklaruan se abuzimi është dashakeqës dhe kundër interesave kombëtare, pasi sipas qeverisë, janë shtrembëruar faktet dhe të dhënat për sistemet që përdoren në hartat detare dhe për rrjedhojë hamendësohen skenarë fantazmikë të cedimit të hapësirave detare. Ndaj dhe përmes deklaratës së përbashkët për shtyp të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes, bëhet e ditur se përcaktimi i koordinatave gjeografike është bërë mbi bazën e sistemit ndërkombëtar gjeodetik WGS 84, sistem botëror i koordinatave. Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë, d.m.th, përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare. Çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale si rezultat i kësaj marrëveshjeje. Gjatë gjithë përgatitjes dhe negocimit të kësaj marrëveshjeje pala shqiptare ka përdorur dhe është bazuar vetëm në hartat shqiptare të prodhuara nga Instituti Gjeografik i Forcave të Armatosura, Tiranë. Çdo pretendim i kundërt është një shpifje e pastër. Pas përfundimit të marrëveshjes, palët kanë vënë në dispozicion të njëra-tjetrës hartat e përdoruara për të nxjerrë koordinatat.
Marrëveshja me koordinatat përkatëse u është bërë e njohur dhe vënë në dispozicion mediave me transparencën maksimale. Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë denoncojnë edhe një herë trillimet dhe gënjeshtrat e publikuara si të orientuara drejt dezinformimit të opinionit publik kundër interesave kombëtare të Shqipërisë.
“Armiqtë e Durrës-Kukës, drejt fundit”
Armiqtë e rrugës kombëtare Durrës-Kukës po shkojnë drejt fundit. Kjo është kundërpërgjigjja që dha dje Kryeministri Sali Berisha ndaj interesimit të medias për vendimin e gjykatës që riktheu hetimin e çështjes “Durrës-Kukës”. Lidhur me hapjen e gjykimit të çështjes Kryeministri u shpreh se armiqtë e këtij projekti madhor do të marrin përgjigje pas përfundimit të saj. “Armiqtë e rrugës po shkojnë drejt fundit. Drita në tunel së shpejti do të dalë. Rruga po përfundon”, - theksoi z. Sali Berisha.