Kartat, qeveria, si do të aplikohet për çmimin 200 lekë
Qeveria kthen në vendim marrëveshjen me PS-në për kartat e identitetit dhe zbardh skemën e re të aplikimit për çmimin 200 lekë për pajisjen e qytetarëve pa pasaporta që nuk përfitojnë kompensim. Sipas këtij vendimi, të gjithë shtetasit që mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 28 qershor 2009 dhe që nuk kanë pasaportë, si dhe nuk përfshihen në skemën e kompensimit, mund të aplikojnë, duke paguar paraprakisht një tarifë prej 200 (dyqind) lekësh, deri më 18 qershor 2009. Vendimi i djeshëm i qeverisë bën të qartë dhe procedurat që do të ndiqen gjatë procesit të aplikimit dhe mënyrës së kompensimit. Kur shtetasi nuk është i përfshirë në listën e shtetasve pa pasaportë, mund të pajiset nga zyra postare me kupon vetëm nëse: paraqet një vërtetim nga Policia e Shtetit se nuk ka pasaportë, në përputhje me pikën 8/1, të vendimit nr. 1 datë 7.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, të ndryshuar; nënshkruan formularin e deklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, ku përfshihet edhe deklarata se nuk ka pasaportë, nuk ka përfituar kupon nga ndonjë skemë kompensimi dhe se mban përgjegjësi penale, sipas nenit 144, të Kodit Penal. Formulari i deklarimit ose vërtetimi i lëshuar nga Policia e Shtetit dorëzohen në zyrën e postës në çastin e dhënies së kuponit, të vulosur me vulën e postës. Ky kupon mund të përdoret për aplikim vetëm nga shtetasi përfitues, sipas këtij vendimi. Formularët e deklarimit, të nënshkruar dhe vërtetimet e lëshuara nga Policia e Shtetit administrohen nga Ministria e Brendshme, kurse vlera e mbetur prej 1000 (një mijë) lekësh duhet të paguhet nga personat përfitues, sipas këtij vendimi, brenda 6 muajve nga data e aplikimit. Pagesa kryhet pranë zyrave postare, për llogari të buxhetit të shtetit. Në rast se personi nuk kryen pagesën për shumën e mbetur brenda periudhës 6-mujore, shpallet debitor dhe vjelja e detyrimit bëhet sipas procedurave përkatëse. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, informoi dje gjatë një konference për shtyp se deri në datën 29 prill kanë aplikuar 706 mijë persona, ndërkohë që vlerësoi se "skema e vendosur nga qeveria është një skemë e shkëlqyer, e cila absolutisht nuk lë asnjë qytetar pa kartë identiteti dhe pa votuar, për shkaqe financiare dhe teknike". Kryeministri Sali Berisha shprehu të premten gatishmërinë për të bashkëpunuar me opozitën për identifikimin e çdo qytetari që nuk është i përfshirë në listën e zgjedhësve. Berisha vlerësoi opozitën, e cila merr përsipër të gjejë të gjithë personat që nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat zgjedhore. Sipas tij: "Qëllimi ynë është që çdo qytetar që dëshiron të votojë, të votojë, pasi ne nuk kemi ligj për të detyruar qytetarët që të shkojnë në votime. Opozita tregon të njëjtin vullnet, ndaj le ta sanksionojmë me vendim këtë".
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E PAJISJES SË SHTETASVE PA PASAPORTË, QË NUK PËRFITOJNË KOMPENSIM NGA VENDIMI NR. 366, DATË 15.4.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOMPENSIMIN E PAGESËS PËR PAJISJEN ME LETËRNJOFTIM TË SHTRESAVE NË NEVOJ˔
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të gjithë shtetasit, që mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 28 qershor 2009 dhe që nuk kanë pasaportë, si dhe nuk përfshihen në skemën e kompensimit, të parashikuar në vendimin nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, mund të aplikojnë, duke paguar paraprakisht një tarifë prej 200 (dyqind) lekësh, deri më 18 qershor 2009.
2. Rregulli i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, zbatohet edhe për të gjithë shtetasit, që votojnë për herë të parë dhe që kanë lindur në periudhën 19.2.1989 – 28.6.1991, siç përcaktohet në nënndarjen iv, të shkronjës “b”, të pikës 1, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, por që nuk ndjekin shkollat publike.
3. Shtetasit e përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, pajisen me kuponat në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore pas pagimit të tarifës prej 200 (dyqind) lekësh. Në rast se njësia e qeverisjes vendore ka më shumë se një zyrë postare, pajisja bëhet në zyrën kryesore postare të njësisë, së cilës, nga Ministria e Brendshme, i vihet në dispozicion lista emërore e shtetasve, që nuk kanë pasaportë.
4. Kur shtetasi nuk është i përfshirë në listën e shtetasve pa pasaportë mund të pajiset nga zyra postare me kupon vetëm nëse:
a) paraqet një vërtetim nga Policia e Shtetit se nuk ka pasaportë, në përputhje me pikën 8/1, të vendimit nr. 1 datë 7.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata, që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve”, të ndryshuar;
b) nënshkruan formularin e deklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, ku përfshihet edhe deklarata se nuk ka pasaportë, nuk ka përfituar kupon nga ndonjë skemë kompensimi, dhe se mban përgjegjësi penale, sipas nenit 144, të Kodit Penal.
Formulari i deklarimit ose vërtetimi i lëshuar nga Policia e Shtetit dorëzohen në zyrën e postës në çastin e dhënies së kuponit, të vulosur me vulën e postës. Ky kupon mund të përdoret për aplikim vetëm nga shtetasi përfitues, sipas këtij vendimi. Formularët e deklarimit, të nënshkruara, dhe vërtetimet e lëshuara nga Policia e Shtetit administrohen nga Ministria e Brendshme.
5. Vlera e mbetur prej 1000 (një mijë) lekësh duhet të paguhet nga personat përfitues, sipas këtij vendimi, brenda 6 muajve nga data e aplikimit. Pagesa kryhet pranë zyrave postare, për llogari të buxhetit të shtetit. Në rast se personi nuk kryen pagesën për shumën e mbetur brenda periudhës 6-mujore, shpallet debitor dhe vjelja e detyrimit bëhet sipas procedurave përkatëse.
Personat, që përfitojnë sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, përjashtohen nga zbatimi i këtij detyrimi, nëse paraqesin dokumentet e aplikimit, sipas shkronjës “dh”, të pikës 4, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.
6. Rregullat e hollësishme dhe mënyra e pagesës së kompensimit të Postës Shqiptare, sha, për çmimin e letërnjoftimit, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
7. Zyrat e aplikimit të mos pranojnë aplikime në periudhën 18.6.2009 - 30.6.2009. Në këtë periudhë zyrat qëndrojnë të hapura vetëm për shpërndarjen e letërnjoftimeve.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen brenda fondit të përcaktuar në pikën 7, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”.
9. Shkronja “dh”, e pikës 4, të vendimit nr. 366, datë 15.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë”, nuk zbatohet për kategorinë e shtetasve të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.
10. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Financave dhe Posta Shqiptare, sha, për zbatimin e këtij vendimi.