E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet; Hipoteka nis dhënien e titujve të pronësisë



Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive kanë filluar të japin certifikatat e pasurisë për ndërtimet pa leje të cilat kanë marrë legalizimin nga Agjencia e Legalizimit. Ky është hapi final që një ndërtim pa leje të quhet pronë. ZRPP-ja njoftoi dje se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan ka shpërndarë ditën e djeshme 35 certifikata pronësie, pas paraqitjes së lejeve të legalizimit nga ALUIZNI. Çdo qytetar që ka marrë lejen e legalizimit, duhet të paraqitet tek hipoteka për të tërhequr certifikatën e pronësisë.

Nis dhënia e certifikatave të pronësisë për ndërtimet pa leje. Zyra e Regjistrimit të Pasurive njoftoi dje se ka nisur procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë, ku 35 qytetarë të Elbasanit patën fatin ta merrnin të parët. Kështu, çdo qytetar që ka marrë certifikatën e lejes së legalizimit, që ka shpërndarë Agjencia e Legalizimeve, duhet të paraqitet te hipotekat për të marrë përfundimisht certifikatën e pronësisë. Ky është hapi i fundit i procesit kur prona mund të quhet e ligjshme. ZRPP-ja bëri me dije se Agjencitë Rajonale të ALUIZNI-t kanë përcjellë dokumentacionin e nevojshëm pranë ZVRPP-ve. Procesin e ka përmirësuar dukshëm dhe i ka rritur shpejtësinë e përpunimit të praktikave edhe hartimi i një udhëzimi të posaçëm për pronat e legalizuara nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Udhëzimi

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përmbushje të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, ka hartuar një udhëzim të brendshëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të fituara me anë të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale. Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë.

Procedura

Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Pronari me leje legalizimi në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZNI-t dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t’i dërgojnë qytetarit akt verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni duhet t’i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve. Në përfundim të procesit qytetari do të pajiset me certifikatë pronësie në rastet kur zona është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ose me vërtetim pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve, do të kenë sanksione administrative nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Regjistrimi

Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen; si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. Udhëzimi i miratuar nga ana e hipotekës parashikon në detaje edhe të gjitha problematikat e tjera që mund të shfaqen përgjatë regjistrimit të lejeve të legalizimit, si në rastet kur parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar apo e anasjella. Ky udhëzim krijon lehtësi për të gjithë punonjësit e ZVRPP-ve dhe shkurton kohën e pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me dokumentin e pronësisë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bëri thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve, pasi të kenë marrë njoftimin nga drejtoritë përkatëse të ALUIZNI-t për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit.

Tri rastet kur jepet certifikata e pronësisë

Vetëm pak javë më parë, ZRPP-ja hartoi një udhëzim i cili përcakton mënyrën e regjistrimit të lejeve të legalizimit, për të tërhequr tapinë, vetëm në tri raste. Rasti i parë është kur ndërtimi pa leje ndodhet në pronësi të vetë qytetarit. Rasti i dytë kur ndërtimi ndodhet në truall, që është në pronësi të shtetit dhe në rastet kur ndërtimi ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. Pra në këtë rast, prona do të kalojë në emër të shtetit, pra do të shpronësohet dhe më pas do të kalojë në emër të të legalizuarit. Sipas të dhënave, zyrat e ALUIZNI-t do të dërgojnë në hipotekë vetëm ato prona të paligjshme që më parë janë miratuar nga qeveria për shpronësim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›