KE, Barrot: Shqiptarët do të lëvizin të lirë në Evropë
Komisioni Evropian përmes zv.presidentit Jacques Barrot, vlerëson arritjet domethënëse të Shqipërisë nën qeverisjen e Kryeministrit Sali Berisha, ndaj dhe shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin të lirë në Evropë. Kreu i qeverisë priti dje në zyrën e tij zv.presidentin e KE-së me të cilin diskutoi për luftën kundër krimit të organizuar, atë kundër korrupsionit, marrëveshjet e ripranimit, puna në sistemin gjyqësor, sistemi i sigurisë. Por sipas tij, këto janë 5 kushtet, plotësimi i të cilave do të mundësojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. “Shqiptarët gradualisht dhe progresivisht po shkojnë drejt dëshirës së tyre që të lëvizin të lirë në vendet e Evropës”, - tha z. Barrot. Duke u ndalur te sistemi i sigurisë, zv.presidenti i KE-së tha: “Dua t’i them ‘bravo’ qeverisë që po realizon pasaportat biometrike”. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të pajisen me letërnjoftimet elektronike, pasi kjo tregon pjekurinë e një vendi që aspiron për të qenë anëtar në BE. Kryeministri Berisha, pasi vlerësoi mbështetjen që KE-ja i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, informoi gazetarët për takimin që pati me z. Barrot. “Diskutuam gjerësisht për progresin e bërë në fushën e drejtësisë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, - tha ndër të tjera kreu i qeverisë shqiptare.
Z. Barrot po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, 5 ditë pasi Kryeministri Sali Berisha dorëzoi zyrtarisht kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, në Pragë të Çekisë, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.